​Banorët shqiptar në Graçanicë kanë telashe të nxjerrin dokumentet që u nevojiten

Shpërndaje

Komunat që udhëhiqen nga kryetarët e komunitetit serb jo që nuk i njohin simbolet shtetërore të Kosovës dhe pavarësinë e saj, por ata po bëjnë edhe diskriminime ndaj shqiptarëve që jetojnë në këto komuna. Banorët shqiptarë të komunës së Graçanicës po ankohen se po kanë vonesa në pajisjen me dokumentet të ndryshme, teksa ata serb thonë të kundërtën.

Ramiz Gashi, pronar i fabrikës të ngjyrave “Relux SHPK”, po ankohet se për të marrë një listë poseduese dhe një kopje plani nga drejtoria e kdastrit në Graçanicë i është dashur të pres një muaj.

Sipas tij, në këtë drejtori janë të punësuar persona të pa përvojë dhe të cilët askush nuk i kontrollon.

Ndonëse e mori listën poseduese, Gashi deklaron se u ballafaqua edhe me telashe tjera të cilat po ashtu i shkaktuan vonesa të shumta, pasi që dokumentet kishin gabime të shumta.

Por këto vonesa i ka mohuar drejtori i Zyrës Kadastrale Komunale në Graçanicë, Nebojsha Sudimaq, i cili përmes një shkese elektronike, thotë për KosovaPress, se të gjitha kërkesat për listat poseduese u lëshohen aplikuesve brenda 24 orëve.

Sudimaq e ka pranuar se ka gabime në listat poseduese por sipas tij këto gabime nuk bëhet nga komuna e Graçanicës, por nga organet tjera.

E në anën tjetër edhe banorët e komuniteti serb në Graçanicë mohojnë se ka vonesa për marrjen e dokumenteve të caktuara nga komuna.

Dragan Arshiq, banor i kësaj komune thotë shkurt se ata nuk kanë vonesa kur duan që të marrin ndonjë dokument të komunë.

Edhe Dimtrijevic Radosav, banor serb në Graçanicë deklaroi se të gjitha dokumentet që janë kompetencë e kësaj komune mund të nxirren lehtësisht, pa telashe./KosovaPress/