Banorët e Lubotenit: Shteti na bën presion për ta braktisur fshatin (VIDEO)

Shpërndaje

Këto pamje nuk janë nga konflikti i vitit 2001, por janë filmuar mëngjesin e sotëm. Banorët shqiptarë të Lubotenit të Shkupit sot janë zgjuar nga pjestarët e policisë. Prania e njësive special të armatosura si në gjendje lufte ka kthyer te lubotenasit kujtimet e vitit 2001, kur policia kreu masakra ndaj popullësisë civile të këtij fshati, shkruan gazeta Lajm.

Zyrtarisht thuhet se policia ka hyrë në Luboten për të konfiskuar duhanin e banorëve për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale trafik me mall akcize dhe mashtrim doganor, shkruan gazeta Lajm. Por, banorët thonë krejtësisht diçka tjetër. Sipas tyre ky aksion policor ka prapavijë politike dhe se qëllimi i shtetit është që përmes presioneve, të detyrojë shqiptarët ta braktisin Lubotenin, venbanim ky i rrethuar nga fshatra me popullësi maqedonase.

Para kamerës së gazetës Lajm, banorët u ankuan se policia u ka hyrë nëpër shtëpi pa kurrfarë paralajmërimi, duke i trishtuar në gjumë.

Sabit Mehmeti thotë se Luboteni gjithmonë ka qenë dhe është cak i policisë maqedonase. Atij sot shteti i’a ka konfiskuar duhanin, kurse kohë më parë, thotë se, policia ka kusheririn e tij pa asnjë pretekst.

Banorët e revoltuar janë munduar të kundërshtojnë aksion policor. Ata thanë se po u merret malli nga i cili sigurojnë kafshatën e gojës.

Banorët shqiptarë fajin ia hedhin partive në pushtet. Thonë se votat që ua kanë dhënë në zgjedhje, tani u kthehen me të keq.

Fshati Luboten ndodhet mes fshatrave maqedonase Rashtak dhe Lubancë dhe bie në komunën Butel që gjendet në Veri të Shkupit. Fshati ka mbi 600 shtëpi me më shumë se 3000 banorë, e të cilët krysishtë merren me kultura bujësore sic është duhani dhe shalqini./Gazeta Lajm