Dalin detajet si ka ndodhur aksidenti në Rahovec ku vdiqën tre persona

Shpërndaje

Aksidenti dyshohet se u shkaktua nga pakujdesia e shoferit të veturës që goditi veturën tjetër në Bërnjak.

Një veturë e tipit Renault, që në pamjet e kamerave të sigurisë shihej duke lëvizur normalisht, do të shpejtonte pak sekonda më vonë, duke hyrë në tejkalim.

E kjo lëvizje do të shkaktonte aksidentin ne fshatin Bërnjak të Rahovecit ku tre persona humbën jetën, kurse tre tjerët u lënduan rëndë.

Policia Rajonale e Gjakovës në një përgjigje për televizionin T7 ka treguar shkaktarin e aksidentit.

“Shkaktari i aksidentit, është vozitësi me inicialet D.H i lindur 1959 në Prizren. Të vdekur në aksident janë: pasagjerja me inicialet B.H e lindur më 1959 nga Prizreni, vozitësi i veturës 2, I. L i lindur më 1966 nga Rahoveci, pasagjeri i veturës 2 F. I i lindër më 1974 nga Prishtina”.

Kurse të lënduar janë: L.J nga Prishtina i lindur më 1973, si dhe S.I i lindur më 1988 nga Rahoveci.

Edhe sipas raportit të policisë, të cilin e ka siguruar T7, thuhet se vozitësi i veturës nga Prizreni kishe hyrë në tejkalim të pasigurtë nga pakujdesia.

Në këtë aksident mes të vdekurve ishte edhe 53 vjeçari Ilmi Lama nga Rahoveci.

Në shtëpinë e tij të shtunën ishin hapur dyert për ngushëllime.

Mësohet se njëri nga viktimat ishte mik me Lamën nga Prishtina.

Kurse njëri nga të lënduarit që po trajtohet në QKUK është edhe djali i të ndjerit.

Në një përgjigje për Televizionin nga QKUK kanë konfirmuar se dy persona të lënduar janë në mjekim intensiv.

Vozitësi D. H i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin, po ashtu është lënduar rëndë në këtë aksident.

Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit kanë konfirmuar se i njëjti është operuar një ditë më parë.

“Unë kam qenë kujdestar mbrëmë. I njëjti ka ardhur në gjendje të rëndë. Kemi kryer një operim që ka kaluar me sukses. Pacienti po qëndron tash në mjekim intensiv”.

E menjëherë pasi ka ndodhur aksidenti në vend të ngjarjes ka dalë kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Ai tha se për të gjithë kjo është një ngjarje e rëndë.

Ndryshe, T7 mëson se devijimi i rrugës nga ana e shoferit ka ndodhur për shkaqe pakujdesie.