Dy funksionarë të LSDM janë të përfshirë në rastin “Reket”, ja kush i përmend? (Video)

Shpërndaje

Tregimet e tija që i publikoi portali Plus Info për “Kokin dhe Kikin”, u bënë më të qarta pasi që u arrestuan Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski. Të dy akuzohen për reket, ndërsa pikërisht për këtë shkruante gazetari Branko Gerovski. Ai për TV21 tha se në gjithë aferën janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Sipas vlerësimeve të tija, së paku edhe pesë apo gjashtë persona kanë marrë pjesë në këtë skandal. Siç thotë ai, hetimi i Prokurorisë duhet të vërtetojë këto dyshime. Megjithatë thotë se në grupin e reketit ka edhe dy persona që janë pjesë e LSDM-së. Gerovski thotë se nuk dëshiron të përmend emra, e as më shumë detaje, për shkak se mund të dëmtojë hetimin.

“Ka gjëra që do të zbulohen. Duhet të zbulohen lidhjet mes dy të dyshuarve, me së paku pesë apo gjashtë persona sipas vlerësimit tim. Mendoj se ata lidhje do të sjellin deri te dyshime tjera bazë për përfshirjen e personave të tjerë në këtë reket bombash, në këtë reket milionësh. Mendoj se prokuroria do të vij deri në fazë ku bëhet fjalë për shoqërim kriminel. Nuk është në pyetje vetëm reket, në pyetje është edhe larja e parave ku janë të përfshirë shumë persona të tjerë”, deklaroi Branko Gerovski, gazetar.

Pieter van Hojte i cili ishte i angazhuar nga BE-ja në procesin e negociatave dhe në nënshkrimin e marrëveshjeve të Përzhinos, reagoi për ndodhitë në lidhje me Prokurorinë Speciale. Ai ishte pjesë e procesit të formimit të PPS-së dhe emërimit të Katica Janevës.

“Duke e analizuar atë që po ndodh, pyetja ime e parë është: Pse kjo doli përnjëherë në pah? Kush qëndron pas kësaj? A preki Katica Janeva deri te disa persona të cilët besonin se janë të paprekshëm dhe mbi ligjin? Si përgjigje e pyetjes “kush ka interes që kjo të ndodh” mund të jap një listë të gjatë me emra, por kjo nuk do t’i ndihmoj vendit. Megjithatë një gjë është e qartë: Politikanët tërësisht e tollovitën punën. Në vend që të garantohet drejtësi e paanshme dhe e pavarur, politikanët nga gjithë partitë politike vazhduan me luftërat e tyre personale dhe e harruan rëndësinë e zbatimit të drejtë të parimeve themelore demokratike, siç është ndarja e pushtetit dhe nevoja për gjyqësorë të pavarur”, tha Pieter van Hojt.

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion gjithë rastin e publikoi të hënën. Menjëherë pas kësaj vijoi arrestimi i Bojan Jovanovskit dhe biznesmenit Zoran Milevski, e më pas masa prej 30 ditëve paraburgim për të dy. Njëkohësisht i është marrë edhe celulari prokurores speciale Katica Janevës, e cila para konferencës për media të Prokurorisë, vendosi të jap dorëheqje, por siç tha ajo, për arsye tjera. Prokuroria thotë se tani për tani ka vetëm dy të dyshuar, por kjo nuk do të thotë se hetimi nuk do të zgjerohet. Për momentin, siç thonë, të gjithë informacionet që u publikuan në disa portale, janë në nivel të spekulimeve, ndërsa vetëm kumtesat dhe prononcimet e tyre janë të besueshme./TV21