Haradinaj fton në takim Veselin e Limajn, thotë se do flasin për “ngrohjen globale”

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk është mirë që të humbë asnjë ditë për të caktuar zgjedhjet e reja, pasi ka një vullnet politik nga gjitha partitë politike.

Haradinaj në një konferencë për media, njoftoi se për nesër i ka ftuar në takim dy liderët e tjerë që ka bashkëqeverisur, kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli dhe atij të Nisma-s, Fatmir Limaj.

Duke ironizuar, Haradinaj tha se në këtë takim do të flitet për ”ngrohje globale”.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pas dorëzimit të kërkesës së tij për të interpretim të dorëheqjen e tij në Gjykatën Kushtetuese, tha se kjo është bërë për të qartësuar pozitën e tij dhe me anë të kësaj nuk duhet që të zvarritet shpallja e datës për zgjedhje të reja.

Vendimin e tij për interpretim të Gjykatës Kushtetuese, i pari i Qeverisë në detyrë tha se kjo duhet të merret si shembull edhe për të tjera herë, derisa shtoi se nuk ka asnjë interes që të kthehet në zyrën e të parit të ekzekutivit.

Haradinaj theksoi se Kosova nuk është mirë që të humbë asnjë ditë për të caktuar zgjedhjet e reja, pasi sipas tij, ka një vullnet politik nga gjitha partitë politike.

“Unë jam si kryeministër në dorëheqje, ai është një vendim që e kam dorëzuar për interpretim. Kjo bëhet për mos me i shty zgjedhjet, por të merret si shembull. Kam kërkuar që të fillojnë konsultat për shpërbërje të Kuvendit. Unë nuk kam interes që pas dorëheqjes me ardh në zyrë të kryeministrit, por nevojitet që të kryhen punët”, tha ai.

Për mos njoftimin e liderëve tjerë institucional për dorëheqjen e tij, Haradinaj tha se ai e ka bërë njoftimin në vendin dhe kohën e duhur.

Ndërkaq, për vendimin e tij për dorëheqje, Haradinaj tha se nuk ka qenë kalkulim politik, siç po potencohet por është bërë për të forcuar pozitën e Kosovës.