Kolona deri në 500 metra, mërgimtarët presin me orë për të hyrë në Kosovë

Shpërndaje

Kolona të gjata janë shkaktuar në pikëkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë. Qytetarë të Kosovës që janë duke kaluar nëpër këtë pikë kufitare kanë treguar se pritjet po zgjasin deri në pesë orë.

Nysert Vitija, qytetar i Kosovës që është duke pritur në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë ka treguar për Express se tash e pesë orë është në kolonë.

Ai ka treguar se kolona me vetura aktualisht është shumë e gjatë.

“Maltretimi nga ana e Serbisë po vazhdon ndaj neve. Unë me familje jam duke pritur në kufi që pesë orë. Polica e Kosovës na ka lëshuar pa asnjë telashe, por zvarritjen e qëllimshme po e bëjnë policet e Serbisë. Një veturë nuk e lëshojnë pa e mbajtur të paktën 20 minuta”, ka treguar ai duke dërguar edhe pamje nga vendi i ngjarjes.

Edhe sipas njoftimit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolonat më të gjata janë shkaktuar në pikë kalimin kufitar në Merdare.

Në njoftim të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar thuhet se pritjet në pikë kalimin kufitar në Merdare në daljet po zgjasin deri në 200 minuta.