Hetimet janë “ngrirë”, opinioni me dyshime, Ruskoska dhe Janeva në pushim

Shpërndaje

Hetimet me skandalin për rastin Reket, negociatat për Ligjin për Prokurorinë publike dhe shumë çështje tjera të hapura, mbetën në stand by pasi që të gjithë që janë të përfshirë në zgjidhjen e këtyre çështjeve, shkuan në pushim. Edhe pse skandali me rastin “Reket” ende po e trondit opinionin dhe po i rrënon themelet e sistemit të drejtësisë në vend, prokurorja e cila e udhëheq hetimin, Villma Ruskoska, shkoi në pushim, ndërsa pas saj edhe Katica Janeva për të cilën ekzistojnë dyshime se është e përfshirë në këtë skandal. Avokati, Zvonko Davidociq, për TV21 thotë se në kohë kur ndodhin skandale të tilla, nuk duhet të lejohet sjellja e tillë. Ai theksoi se e gjithë kjo ka ndikim edhe në vendimin për fillimin e negociatave me BE-në.

“E gjithë kjo do të ndikoj absolutisht, jo vetëm në negociatat. Kjo në afat të gjatë do të ndikojë në sistemin e drejtësisë së vendit por edhe në vetë shtetin. Për shkak se dëshmon se as një organ i tillë nuk është imun dhe nuk mund të përballet deri në fund me veprimet korruptive dhe me korrupsionin. Se ne gjendemi në baltë ku sundon korrupsioni, ku biznes interesi dhe interesat politik mbrohen përmes gjyqësorit dhe se gjykatat dhe prokuroritë janë mjet i fuqishëm që partitë assesi nuk guxojnë t’i lëshojnë nga duart”, tha Xvonko Davidoviq.

Pas dorëheqjes së Janevës të cilën e ka dhënë vetëm para opinionit, paralajmërimet se në vendin e saj do të emërohet një u.d. prokuror special, siç thekson Davidoviq, nuk mund të realizohen sepse pas gjithë kësaj që ka ndodhur, Katica Janeva ende është shefe e PPS-së. Bisedat e përgjuara janë armë të fuqishme, shton Davidoviq, me të cilat mund të ndikohet edhe mbi politikanët dhe afaristët, prandaj është e nevojshme që ky rast të zbardhet sa më shpejtë që është e mundur.

“Ajo është prokurore speciale dhe vetëm ajo udhëheq me Prokurorinë Publike Speciale, askush tjetër. Unë shumë herë kam thënë – sa më shpejtë që është e mundur Prokuroria ta zgjidhë këtë rast dhe të përcaktohet nëse ndonjë prokuror special është përfshirë apo jo. Por, përgjigjet që do t’i kërkohet kësaj prokurorie do të duhet të jepen dhe do të duhet që vendimin e saj ta bazojë në dëshmi të cilat do të duhet t’i paraqesë publikisht dhe publikisht ta arsyetojë vendimin e saj”, shtoi Davidoviq.

Dje, edhe kryeministri Zoran Zaev përmes një video-fjalimi porositi se i inkurajon organet gjyqësore dhe u bëri thirrje që të zhvillojnë luftë pa kompromis kundër krimit. Nga ana tjetër, zëvendës ndihmës-sekretari i SHBA-ve, Metju Palmer, porositi se negociatat aderuese të vendit me BE-në do të varen edhe nga epilogu i hetimit për rastin ”Reket”, edhe nga sjellja e Ligjit për PPS./TV21