LSDM nuk mund t’u bëjë ballë e vetme tendencave për rikthimin në pushtet të diktaturës

Shpërndaje

(Mjerë qeveria dhe shteti që e lidhin fatin me GJILPËRAT E QEFINIT, mbetjet e ish regjimit komunist dhe nëntokën kriminale proserbe e proruse në Maqedoni)

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Lidhja Socialdemokratike e Maqedonisë aktualisht ndodhet në një situatë tepër të rëndë, si asnjëherë më parë në periudhën tridhjetëvjeçare pas pavarësimit të Maqedonisë.

Ardhja në pushtet e kësaj partie para dy vjetësh dhe ndryshimi radikal i kursit politik të shtetit, nga një shtet satelit i interesave ruse dhe serbe në rajon, në shtet me orientim evropian dhe uroatlantik, sigurisht që tërheq interesimin e faktorit ndërkombëtar, SHBA, BE dhe NATO, për ta mbrojtur dhe ndihmuar këtë frymë pozitive që garanton të ardhme më të sigurt të këtij shteti, në krah të faktorit politik vendës që arriti t’i zgjidh dy nga problemet kryesore të këtij shteti me shtetet fqinje, Bullgarinë dhe Greqinë.

Por, besimi dhe mbështetja vetëm në faktorin ndërkombëtar, siç duket nuk janë të mjaftueshme për një stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë në vend, përderisa nga brenda provokohet situata e brishtë politike nga disa grupime dhe aleanca të fshehura, të vjetra dhe të reja, të cilat janë të interesuara ta rikthejnë gjendjen e mëparshme të krizës politike, nga e cila do të përfitonin armiqtë e të gjitha ngjyrave, jo edhe qytetarët e këtij shteti.

Ndërtimi i shtetit ligjor në këto rrethana dhe me këtë konstelacion të forcave politike në vend, gati është shndërruar në një mision të pamundshëm, pa ndryshuar përbrenda edhe vetë LSDM-ja, partia më e madhe në pushtetin aktual të Maqedonisë Veriore.

Dy gabime të mëhershme të kësaj partie, të periudhës sa ka qenë në pushtet pas vitit 1990, tanimë është vonë të korrigjohen, dhe si të tilla duhet të bëhen pjesë e programit dhe strategjisë së saj në të ardhmen, ndërsa një nga çështjet urgjente që duhet ta zgjidh kjo parti sa nuk është rrënuar nga brenda, bashkë me të edhe pushteti me frymë më demokratike deri më sot, i ndërtuar me shumë mund dhe sakrfica gjatë viteve të fundit. Kjo detyrë e ngutshme, pa hezitime dhe pa kompromise, lidhet me partnerët e saj në politikëbërje dhe në pushtet, por edhe me një strukturë të brendshme, e cila me asgjë nuk i përgjigjet realitetit të ri, frymës demokratike dhe orientimit evropian të këtij shteti. Këtë LSDM-ja mund ta bëjë vetëm përme njerëzve (kuadrit) të saj në organet e sigurimit shtetëror, nëse i ka të besueshëm dhe nën kontroll, të cilët mund ta pastrojnë këtë parti nga rrjeti i agjentëve të dyfishtë, trefishtë dhe shumfishtë në radhët e veta, të cilët hanë bukën e qytetarëve dhe të shtetit, ndërsa punojnë e veprojnë pa ndalur për realizimin e interesave të huaja, brenda shtetit dhe në rajon.

Një nga gabimet që duhet ta përmirësojë kreu i kësaj partie, sa nuk është bërë tepër vonë, është pastrimi i radhëve të veta edhe nga kudrot shqiptarë të dyshimtë, të cilët me asgjë nuk e kanë dëshmuar se janë demokratë dhe atdhetarë, përderisa paraqesin mbetje të ish regjimit komunist, përkrahës të ish regjimit diktatorial nën qeverisjen e OBRM-PDUKM-së, njerëz pa dinjitet që kanë ndërruar identitetin e tyre kombëtar me identitetin politik dhe partiak, që kanë ndëruar gëzofin disa herë, kinse në emër të interesave më madhore të demokracisë dhe shtetit, ndërsa perdja që i ndan këto interesa “madhore” të tyre nga interesat personale, etja për karrierë, pushtet dhe pasuri, është tepër e hollë dhe e tejdukshme për ta parë falsitetin e karakterit të këtyre politikanëve, të cilët në emër multietnicitetit më tepër i dëmtojnë interesat e shtetit se sa të etnisë që i përkasin, së paku sipas deklarimeve të tyre.

Kreu i LSDM-së duhet ta dijë, siç e din pjesa më e madhe e faktorit ndërkombëtar, se shqiptarë të tjerë jana ata që dinë dhe mundin t’i mbrojnë vlerat e demokracisë, shtetin e së drejtës, konceptin e shtetin modern, me orientim evropian dhe euroatlantik, jo llumi i mbetur nga ish regjimi kominist jugosllav dhe nga çizmja e sundimit të mëhershëm serb dhe interesave ruse në Maqedoni!

(27 gusht 2019)