Mbi pushtetet diktatoriale dhe regjimet terroriste

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Pushtetet që për secilin mandat vjedhin me miliqrda euro nga pasuria e shtetit dhe qytetarët, nuk janë pushtete diktatoriale, por regjime terroriste!
Në shtetet ku drejtuesit e tij e vjedhin pakontrollueshëm pasurinë e shtetit dhe të qytetarëve në shuma prej disa miliardë euro, çfarë nënkuptojnë premtimet për rritjen e rrogave, pensioneve dhe ndihmave të shtetit për qytetarët me 0.5 – 5%?!
Këto pushtete nuk janë diktatoriale por janë regjime terroriste, dhe si të tillë duhet të dënohen nga qytetarët e vendeve përkatëse dhe nga gjykatat speciale vendëse dhe ndërkombëtare për krime të rënda kundër njerëzimit!
Sa herë që shpërthen ndonjë aferë e madhe politike, financiare, korrupsioni apo krimi të organizuar në nivele të larta të pushtetit në disa shtete të rajonit, drejtuesit e pushtetit menjëherë fillojnë përmes mediave t’i “qetësojnë” qytetarët, t’i drogojnë përmes progandës me premtime të rrejshme, kinse me investime të mëdha kapitale, rritjen e rrogave, të pensioneve, subvencioneve, përfitimeve dhe dobive të tjera për qytetarët nga shteti.
Në shtetet demokratike dhe të përparuara këto mashtrime janë të dënueshme me ligj, vetëm në shtetet postkomuniste, në “tranzicion demokratik” të pafund, kjo propagandë gëlltitet nga qytetarët për shkak të pamundësisë për gjetjen e zgjidhjeve të tjeta, meqë partitë politike që i përfaqësojnë qytetarët e këtyre vendeve janë pjesë e kësaj loje kriminale, e këtij komploti kundër qytetarëve.
Diktatura nuk nënkupton vetëm torturë dhe vrasje fizike të kundërshtarëve politikë, të qytetarëve të nënshtruar të një shteti, por edhe vrasjen psikologjike dhe dënimin me varfëri, plaçkitjen dhe terrorizimin e vazhdueshëm të qytetarëve me premtime boshe, kur shpenzimet e përgjithshme rriten 100, 200, 300%, ndërsa të ardhurat, rrogat dhe pensionet rriten për 0.5- 5%, edhe atë, në mënyrë fiktive!