ASH-Strugë: Gjendja mesjetare e Spitalit zv Ministri Asim Musa të japë doreheqje!

Shpërndaje

Gjendja katastrofale e dy spitaleve në Strugë edhe përkundër premtimeve të zëvendësministrit Asim Musa dhe BDI-së, është arsye e mjaftueshme për dorëheqje.

Të lësh Repartin e Dializës në atë gjendje, përfshirë edhe faktin se vetë ka qënë pjesë e këtij institucioni, dorëheqja e Asim Musës duhet të vijë, së pari për arsye morale dhe së dyti, për paaftësi politike.

Asim Musa u zotua me mburrje se do të rregullojë kulmin e Dializës, që rrjedh dhe përmbyt hapësirat ku qëndrojnë pacientët, por ndodh e kundërta. Edhe pse një kompani kishte fituar tenderin për ta rregulluar këtë problem, Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë të dyshimtë ka anuluar tenderin.

Pyesim Asim Musën dhe ministrin e tij, Filipçen:

Përse u anulua tenderi?
A nuk u pëlqeu kompania që e kishte fituar?
Apo nuk mund të merreshit vesh për provizionet?

Këto përgjigje duhet t’ua jepni struganëve sa më parë.
Vjeshta afron, bashkë me të edhe rreshjet e stinës. Reparti i Dializës do të jetë i përmbytur, duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e pacientëve. Dhe kjo do të ndodhë vetëm për tekat tuaja, për anulime tenderesh, kur nuk u konvenon fituesi i tenderit.

Premtuat se do të ndërtoni objekt të ri të Spitalit të Përgjithshëm në Strugë.
Asnjë hap në këtē drejtim. Përkundrazi, e keni hequr fare nga programi qeveritar këtë spital sepse do të ndërtoni spitale, atje ku u thonë partnerët e koalicionit. Kjo ndodh se nuk jeni të aftë ta kryeni punën dhe të këmbëngulni për interesat e atyre që përfaqësoni.

Përveç se fotografoheni dhe reklamoheni personalisht, asgjë të mirë nuk keni sjellur për shqiptarët në përgjithësi e për struganët në veçanti.

Prandaj në mënyrë urgjente, për të mos e koritur më veten dhe ata që i përfaqësoni, dorëhiqu Asim Musa!