Katër vajzat jetime u bënë me shtëpi të re, reagon kryeministri Rama

Shpërndaje

Pas fushatës sensibilizuese të “Fundjavë Ndryshe” dhe emisionit investigativ “Stop”, të cilët arritën të realizonin ëndrrën e 4 vajzave të mbetura jetime, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Rama.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, krahas pamjeve të publikuara, Rama shkruan se tashmë 4 vajzat nga një fshat i vogël i Peshkopisë janë bërë me shtëpi.

“A ju kujtohet fatkeqësia tronditëse e 4 vajzave të mbetura jetime në fshatin e vogël të Peshkopisë?

Ato tanimë janë bërë me shtëpinë e tyre, falë solidaritetit me “Fundjavën Ndryshe” dhe Olta si deputete e zonës, është përkujdesur posaçërisht gjatë tërë kësaj kohe për kopshtin, shkollën, kujdesin mjekësor, pushimet e verës…🙏”, shkruan Rama.

Pas aksidentit fatal ku humbën jetën 2 kryefamiljarët, vajzat jetonin në një shtëpi me gjyshërit, në kushte të mjerueshme jetese.

Mirëpo, tashmë jeta e tyre ka ndryshuar. Falë reagimit të shqiptarëve, familja Karazajmi është zhvendosur nga Peshkopia në Tiranë në një shtëpi që iu ofron të gjitha komoditetet.