Padia për Bexhetn, Anti-korrupsioni e ka dorëzuar nismën

Shpërndaje

29 ditë pas konstatimit se kryetari i Sarajit Blerim Bexheti duhet të jep llogari, Komisioni Kundër Korrupsionit ka dorëzuar në Prokurori iniciativën për ngritjen e kallëzimit penal lidhur me çështjen e platformave ilegale në Matkë. Kryetarja e këtij komisioni Biljana Ivanovska tha se me dosjen e Bexhetit tani do të merret organi i akuzës.

Për shkak të mos ndërmarrjes së veprimeve nga ana e tij për heqjen e ndërtimeve pa leje, përkatësisht për mos procedimin e kërkesave për legalizimin e platformave ilegale. Ai e ka zvarritur tërë procesin, duke mos vepruar ndaj asaj kërkesë me ç’ rast iu ka mundësuar shfrytëzuesve të ndërtimeve pa leje që gjatë kësaj periudhe të përfitojnë duke punuar në të zezë”-tha Biljana Ivanovska, kryetare e Anti-Korrupsionit.

Prokuroria Themelore ka 30 ditë afat ligjor për t’iu përgjigjur Anti-Korrupsionit nëse rekomandimet e bëra në seancën e 5 gushtit, kanë bazë për ndjekje penale të Kryetarit të Sarajit Blerim Bexheti për dyshime të korrupsionit lidhur me mos veprimin ndaj platformave ilegale në Matkë.

Ndërkaq, Bexheti mbetet në qëndrimin se Kryeministri Zoran Zaev po përdor mekanizmat shtetërorë për t’u hakmarrë kundër tij, për shkak se siç thotë, të refuzimit që i ka bërë një kërkese të Kryeministrit për ndërhyrje në gjyqësor. Ai tha se e ka të gatshme kundër-akuzën dhe kallëzimin penal do ta nisë posa kundër të gjithë formacionit të Anti-Korrupsionit.

Jo, nuk më kanë informuar ende, për këtë çështje unë jam prononcuar disa herë dhe gjithsesi se në procedurë do e dëshmojmë atë që edhe jam deklaruar për tendencën që kanë pasur. Në kuptimin që nuk është respektuar procedura ligjore, e cila është një e drejtë e çdokujt që të ngrit një procedurë të atillë kur ndihet i dëmtuar”-tha Blerim Bexheti, kryetar i Sarajit.

Sa i përket reagimit të Kryetarit të Sarajit, e para e Anti-korrupsionit tha se është e drejta e tij që të ankohet apo të bëjë kallëzime, duke ia lënë në dorë sistemit të drejtësisë për të vendosur për çdo çështje eventuale kontestuese. Bexheti tha se po i bëjnë hile dhe trysni nga ekzekutivi, andaj kërkoi që edhe legjislativi të ndërhyjë, duke u thirrur se veprimet e tij për çështjen e platformave në Matkë janë konform Ligjit për ndërtim. Ai në konferencën e fundit për media para disa muajsh, pati deklaruar se bëhet fjalë për tri platforma ilegale, dy të rejat dhe terasa e vjetër e restorantit e ndërtuar 10 vjet më parë, kur ai nuk ka qenë në krye të Sarajit./ALSAT/