Tusk në Tiranë: BE të hapë negociatat për Shqipërinë

Shpërndaje

Presidenti i Këshillit i Europian, Donald Tusk, zhvilloi të martën një vizitë të shkurtër në Tiranë, ku deklaroi se Shqipëria meriton hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Zoti Tusk tha se Shqipëria duhet trajtuar me të njëjtin respekt siç janë trajtur vendet e tjera të rajonit.

“Kam qenë gjithmonë i mendimit se BE duhet të çelë negociatat dhe nuk e kam ndryshuar mendjen dhe vazhdoj të jem i të njëjtit mendim. Vendi juaj duhet të trajtohet ashtu si trajtohen vendet e tjera të rajonit”, u shpreh Tusk pas takimit me kryeministrin Rama.

Z. Tusk tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor e shton sigurinë dhe stabilitetin e Evropës.

“Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i rajonit në BE është në interesin e të gjithë Evropës, pasi nuk mund të ketë Evropë të sigurtë dhe stabile pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE. Këtu bëhet fjalë për rëndësinë madhore të së ardhmes tonë të përbashkët dhe kjo do të thotë se askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, u shpreh Donald Tusk.

Ai theksoi nevojën për sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, fqinjësi të mirë dhe pajtim, duke shtuar se Shqipërisë do t’i duhet t’i arrijë këto standarde në momentin që bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Ndërsa kryeministri Rama e vlerësoi rolin e presidentit Tusk në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Më vjen mirë të nënvizoj qartësinë me të cilën presidenti Tusk është shprehur gjithnjë në raport me këtë proces dhe, pa diskutim, të çmoj para opinionit publik përpjekjen e tij konstante si një avokat i zgjerimit dhe përafrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, konkretisht të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, u shpreh Rama.

KryeministriRama dekoroi para gazetarëve presidentin e Këshillit të Europës Donald Tusk me “Yllin e Madh të Mirënjohjes”, me motivacionin se Tusk ishte “avokat i procesit të zgjerimit dhe afrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor me BE-në.”

“Dua t’i akordoj titullin Yllin e Madh të Mirënjohjes Presidentit të Këshiiit të Evropës dhe, me këtë rast, duke ndarë disa momente të rëndësishme, jo vetëm simbolikisht në historinë e përbashkët, mes vendit të tij dhe vendit tonë.

“Medalja më e madhe për mua do ishte çelja e negociatave. Sot, një vit më pas mund të them se në sajë të përpjekjeve tuaja jemi më afër integrimit dhe askush nuk duhet të ketë as dyshimin më të vogël”, tha Tusk.

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, ishte edhe në Maqedoninë e Veriut, ku gjithashtu vlerësoi se ky vend meriton datën për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.