Arben Vitia: 17 të prekur nga koronavirusi në Kosovë

Shpërndaje

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, njoftoi se numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 në Kosovë është 17.

“Deri më sot në Kosovë në Laboratorin e Mikrobiologjisë në IKSHP janë analizuar 271 mostra të dyshimta me koronavirus Covid-19 dhe 17 prej tyre kanë rezultuar pozitive”.

Rasti i fundit i konfirmuar sot është familjar i pacientit nga Dumnica – rastit të parë nga ky vend.

Vitia njoftoi se gjendja e të prekurve nga koronavirusi është stabile, përveç 77 vjeçarit i cili herë pas here po asistohet me oksigjenoterapi.

Ministri i Shëndetësisë përmes kësaj konference për media gjithashtu njoftoi se ka përfunduar procesi për kontraktimin e mjeteve mbrojtëse (maska, veshje mbrojtëse, mburoja, çarçafë dhe mjete të tjera përcjellëse) që do të përdoren nga personeli mjekësor – poashtu ka mjete mbrojtëse për shërbyesit e tjerë si policinë, doganat etj. . .

Gjithashtu u tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ndarë 7 milionë euro që do t’i përforcojnë furnizimet për çdo nivel, si dhe 7.9 milionë euro për masat që ndërmerren kundër koronavirusit Covid-19.

Sipas Vitisë me përforcimin e kapaciteteve dhe lirimin e disa klinikave për rastet me koronavirus, janë të gatshëm 500 shtretër në rast të ndonjë fluksi të pacientëve, përderisa tashmë janë paraqitur 150 vullnetarë të gatshëm për t’u integruar në shërbim.