Asnjë shqiptar nuk fiton në zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit St.Gallen

Shpërndaje

Në zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit të St. Gallenit që janë mbajtur sot, nuk ka arritur të zgjidhet asnjëri nga kandidatët me rrënjë shqiptare. Për parti të ndryshme anë kandiduar një numër i konsidereshëm shqiptarësh të gjeneratës së dytë, me shtetësi zvicerane, shkruan albinfo.ch.

Bazuar në rezultatet përfundimtare, të publikuara në pasditen e vonë të sotme, të gjithë këta kanë ngelur jashtë listave të fituesve.

Ndër kandidatët me prejardhje shqiptare, më shumë gjasa i jepeshin poetit dhe gazetarit të njohur edhe përtej kufijve të kantonit, Etrit Hassler nga SP. “Halbaner”-i, (gjysmë shqiptari, i biri i një shqiptari dhe një zviceraneje), siç e quante ai veten me humor, ka qenë tashmë dy mandate deputet kantonal, shkruan albinfo.ch. Por kësaj radhe, me 3663 vota të fituara, ai nuk ka arritur të kalojë shkallët e legjislativit të kantonit.

Po kjo i ka ndodhur edhe Arbër Bullakajt, i cili është kryetar i SP-së (Partisë Socialdemokrate) të Kantonit St. Gallen. Të kujtojmë: Bullakaj konsiderohej kandidat serioz edhe për zgjedhjet në nivel nacional, si në vitin 2015 ashtu dhe në ato të vitit 2019. Në garat për Parlamentin e Kantonit të St. Gallenit, ai ka marrë gjithsej 2275 vota, gjithsesi të pamjaftueshme për të fituar një vend në legjislativ.

Kandidatët tjerë, siç mund të merret me mend, kanë marrë edhe më pak vota, duke e shtyrë kështu, ëndrrën për përfaqësim në parlament, për një legjislaturë tjetër. Kështu, Ajete Maliqi (SP, Rorschach) ka marë 944 vota, Ilir Mustafa i FDP-së po ashtu nga Rorschach-u, ka fituar 180 vota, Majlinda Sulejmani për CVP-në nga St. Margrethen, 1236 vota ose Edona Zeciri, nga Altstätten, 1089. Pastaj, Dashnim Bektashi (Juso Sp) St. Margrethen 772 vota Engjull Halimi (FDP) Berneck, 1003 vota, Vullnet Sadiku Altstätten -798 vota, Veton Aliji, Flums, 101 vota, Ardi Koxhaxhiku Mels (Jung Freisinnige) 66 vota, Vehbi Vejseli (EVP. St.Gallen), 487 vota etj.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të këtij kantoni, më së shumti vende në parlament ka fituar SVP por duke shënuar një rënie prej 5 vendesh, në krahasim me vitin 2016, transmeton albinfo.ch. Ajo pra në këtë legjislaturë do t`i ketë 30 vende, nga 35 sa i ka pasur. Ngjashëm ka humbur edhe FDP (liberalët). Nga 26 ka rënë në 22 vende në parlament. Ndërsa rritjen më të madhe e ka shënuar Partia e Gjelbër (GPS): nga 5 që i kishte, ajo ka arritur në 9 vende, duke bërë pothuaj dyfishimin e votës, ngjashëm me suksesin që kjo parti ka arritur edhe në zgjedhjet nacionale, në tetor 2019.

Me rezultatet e sotme, e djathta ka humbur shumicën që e kishte deri më tash. Kështu, dy partitë e konsideruara si të djathta, SVP dhe FDP tashmë së bashku kanë 57 vende, nga 61 sa kanë pasur.