BDl-ja premton sërish sistematizimin e administratorëve

Shpërndaje

BDIja zotohet se nuk do të kalojë edhe një mandat tjetër me premtimet për sistematizimin e plotë të administratorëve shtetëror të cilët marrin rroga por nuk kanë një vend pune.

Nuk duhet edhe një mandat tjetër për arsye se ka filluar sistematizimi dhe siç e dini nga 1600 tashmë gjysma janë sistemuar ndërsa procesi u ndërpre për shkak të mos-marrjes së datës, dorëheqjes së kushtëzuar të kryeministrit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Ju e dini që në proces zgjedhor nuk mund të bëhen sistematizime, nuk mund të bëhen as punësime e as largime. Prandaj u ndalua si proces. Unë mendoj është çështje muajsh. Menjëherë pas zgjedhjeve të 12 prillit ky proces do të duhet të përfundojë- tha Artan Grubi, BDl.

Kompetencat për sistematizimin e administratorëve i kanë kaluar Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Alsat tentoi të vendosë kontakt me këtë institucion, mirëpo pa sukses. Ministria nuk është konsoliduar akoma, nuk ka një faqe zyrtare, e-mail funksional zyrtar për të drejtuar pyetje dhe as kontakte te personave përgjegjës për komunikim me mediat. Ministri për Sistem Politik Sadulla Duraku muaj më parë për Alsat deklaroi:

Pyetje: A ka plan konkret se kur do të përfundojë procesi?

Normal që plani konkret është. Tani kemi zgjedhje. Pas zgjedhje sigurisht që do të vazhdohet me të njëjtin “avaz”- u përgjgigj Sadulla Duraku, ministër për Sistem Politik.

Nga 1600 administratorë të mbetur, Qeveria në vitin 2018 filloi sistemimin e rreth 900 prej tyre. Edhe pse nuk ka shifra të sakta, besohet se janë kontaktuar dhe ka filluar procesi i sistematizimit për rreth 400 administratorë. Por procesi në tërësi për 900 administratorët e grupit të parë nga totali prej 1600 duhet të kishte përfunduar në maj të vitit 2018.

Nuk mund të themi me siguri një datë të sigurt, por kemi përkufizuar një periudhë relative që mund të përfshijë nga 1 deri në dy muaj që të përfundojmë me grupin e pare- tha Hazbi Lika, ish zëvendëskryeministër.

Qeveria në programin e saj kishte parashikuar që “urgjentisht do ta zgjidhë problemin me nëpunësit shtetëror të cilët gjatë kohë marrin rrogë por nuk janë shpërndarë në vende pune. Ekziston pakënaqësi e arsyeshme edhe nga ana e tyre edhe nga ana e opinionit për këtë praktikë” – thuhet në Programin e Qeverisë. Procesi i punësimit të administratorëve ka filluar në vitin 2008 bazuar në parimin e përfaqësimit të drejtë etnik në institucione. Nëpunësit të cilët angazhoheshin nga Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit duhet të shpërndaheshin nëpër institucionet tjera, varësisht nevojës së tyre për krijimin e baraspeshës etnike./ALSAT/