Doktoresha shqiptare në Itali: Ardhja e mjekëve, dëshmi fisnike e popullit tonë

Shpërndaje

Mjekja shqiptare, Kozeta Proko, që jeton e punon prej kohësh në Itali, përshëndet aktin e qeverisë që dërgoi 10 mjekë dhe 20 infermierë për të ndihmuar 1 muaj Italinë në përballimin e pandemisë së COVID-19. Ajo i ka shkruar kryeministrit Edi Rama për këtë nismë, duke e quajtur mbërritjen e mjekëve shqiptarë një ditë të re në provincën e Trevizos. “Na gjeti krenar”, shkruan ajo. Krenari që sipas doktoreshës Kozeta Proko dëshmon fisnikërinë e popullit shqiptar për të ndihmuar mikun në ditë të vështira.

“I nderuar Kryeministër Rama, Askujt nuk i shkonte ndërmend që Shqipëria, vendi i vogël përtej Adriatikut, i goditur vetëm pak muaj më parë nga tragjedia e tërmetit shkatërrimtar, të mund të gjente forcën e resurset e të dërgonte një ekip mjekësor prej 30 vetësh, për t’i qëndruar pranë mikes së vjetër e të shtrenjtë të të gjithë shqiptarëve, Italisë. Dita e re, këtu në provincën e Trevizos, të gjithë shqiptarëve, ne veçanti ne mjekëve shqiptarë qe jetojmë e punojmë në Itali, na gjeti krenar! Këta kolegë, me punën e tyre në shërbim të mbrojtjes së jetës, janë dëshmi e një prej cilësive më fisnike të popullit shqiptar…ndihmesën e mikut në ditë të vështira.Në çastet më të errëta të dallgëve të historisë, ne shqiptarët kemi treguar virtytet tona më të mira”, shkruan doktoresha shqiptare që punon në një zonë të Venetos, rajon i prekur shumë nga koronavirusi në Itali.
Doktoresha apelon që shqiptarët të marrin masat mbrojtjëse dhe të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të fitohet kjo betejë me sa më pak pasoja. “Jemi duke jetuar ditë të vështira, në një betejë që kërkon sakrificë prej secilit prej nesh. Nëse këta kolegë kanë lënë pas familjet e shtëpitë e tyre, në emër të betimit të shenjtë në mbrojtje të jetës, ju lutem të gjithë ju të tjerëve të qëndroni në shtëpi! Të kemi të gjithë besim tek masat mbrojtëse të menjëhershme që institucionet e Shqipërisë ditën të ndërmerrnin, të cilat i përgëzoj. Për të mirën tonë, të familjarëve e të afërmve tanë, në respekt të sakrificës e punës së gjithë mjekëve, që fitorja e kësaj beteje të jetë sa më e afërt…Qëndroni në shtëpi!!”, mbyll letrën e saj doktoresha Proko.