E gjithë BDIja në Çair për shpalosjen e emrit të ri të shkollës, vëllai i Imriut: Ai i përket kombit, e jo partisë

Shpërndaje

Një orën 10 nxënësit ishin lëshuar nga shkolla. Donin të merrnin pjesë në manifestim, por u përcollën për në shtëpi, kurse disa prej tyre vazhduan të qëndrojnë në oborr.

Para shkollës qëndronte edhe vëllau i Imriut, Elez Elezi dhe drejtoresha e shkollës Merita Koxhaxhiku. Që të dy kujdeseshin t’i prisnin mysafirët, por më ngrohtë i përshëndetën ata të BDI-së.

Tabelën e shpalosën të gjithë bashkërisht…. pas çfarë vijoi manifestimi…

Në rendin e parë u ulën Talat Xhaferi, Bujar Osmani, Arbër Ademi, Visar Ganiu, Artan Grubi, Armend Arsllani, Ardijan Muça, Shaip Zendeli. Disa prej tyre mbajtën edhe fjalime të cilat zgjatën 40 minuta, e dëshmorit Imriut iu kushtua një biografi që zgjati vetëm 1 minut.

“Në veçanti e përshëndesim dhe më meritorin për çështjen e emrit të shkollës, nënkryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, zotëri Izet Mexhiti”, deklaroi drejtoresha Merita Koxhaxhiku.

Por, a po e partizon BDIja këtë manifestim dhe ndrrimin e emrave. Kjo pyetje duket se e irritoi fort vëllaun e Imriut, Elezin.

“Pse futeni aty? Nuk e ka vendin ky manifestim vendin atje. Kjo iniciativë është më e gjatë, nuk daton nga sot. Por tash i ka ardh rendi, a po më kuptoni. Unë kam qenë anëtarë i Këshillit, dhe kemi insistuar non –stop a po më kuptoni? Deri tash kanë qenë rrethana tjera. unë ju thash se i falenderoj të gjithë që kanë kontribuar, dhe nuk do te lidhet me politikë kjo. Dmth nuk ban me lidh punën. Unë Imriun e llogarisë si të kombit, dhe jo të partisë”, tha vëllau Elez Elezi.

Tv 21: Pse pra nuk pati funksionarë të partive tjera?

E.Elezi: Ka pas të tjerë, ka pas mos i lidhni punët ashtu, se ka pas.

E për t’ia kujtuar vetes, thirrje për mospartizim bëri ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

“Asnjëherë qështjet e tilla nuk duhet të politizohen, të partizohen”, pohoi ministri Arbër Ademi.

E ngjarja shkoi drejtërdrejt në faqen zyrtare të Bashkimit Demokratik për Integrim, për çfarë iu dha vula “U tha u bë”.