Edhe ASH kundër Zaevit: Të shkurtohet luksi i zyrtarëve që zhvatën shtetin

Shpërndaje

Edhe Aleanca për Shqiptarët ka kundërshtuar propozimin e kryetarit tl LSDM-së, Zoran Zaev për shkurtimin e pagës për administratën, si masë ekonomike në kohë krize.

“Duke qenë se situata e krijuar nga koronavirusi nuk ka eskaluar nga aspekti ekonomik në atë masë sa të shkurtohet rroga e të punësuarve nga sektori publik, është heret të shkurtohen rrogat, sepse kjo masë shkel në mënyrë të drejtpërdrejt të drejtat e punëtorëve.

Në vend se të shkurtohen rrogat e punëtorëve që përkrah rrezikut nga virusi vazhdojnë të punojnë, duhet të shkurtohen lukset e funksionarëve që me vite kanë shterur buxhetin shtetëror.

Veç tjerash do të ishte turp për qeverinë të miratojë masa të tilla pasiqë buxheti shtetëror është stabil dhe ka rezerva të mjaftueshme për t’u përballur me situatën pa qenë nevoja për këtë të paguajnë punëtorët”, thuhet në reagimin e ASH-së, ndërsa i bëhet thirrje BDI-së, si pjesë e qeverisë, që qëndrimet e saja kundër masave të propozuara nga LSDM duhet t’i bëjë në mbledhjet e qeverisë aty ku edhe vendoset.

“Mos bëni opozitarin, sepse të tillë nuk jeni tani e 18 vite me radhë. Konsensus për vendimet e qeverisë ndërmjet aktorëve politik PO, por jo duke përjashtuar faktorin shqiptar nga ky konsensus siç bëni ju. Thirrja në konsensus politik nga ana juaj dhe përmendja në këtë konsensus vetëm të LSDM-së, VMRO-së dhe BDI-së përjashton shqiptarët sepse ju ka kohë që nuk i perfaqësoni më rreth 70% të shqiptarëve, prandaj ndërpritni goditjet e ulëta politike, dhe politikat ditore të paktën tani në këtë situatë krize”, thuhet në reagim.

Është shumë e rëndësishme që të ngritet vetëdija qytetare për seriozitetin dhe pasojat shëndetësore që mund të sjellin mos respektimi i masave, siç janë vetizolimi, distanca sociale dhe higjiena, e që si për pasojë të mëtutjshme do të ndikonin negativisht edhe ne ekonominë e vendit, vazhdon më tej reagimi.

“Para se gjithash është shëndeti i qytetarëve, dhe qeveria në momentin që jemi në fokus maksimal duhet ta vë pikërisht shëndetin e tyre. Çdo defokusim eventual çon në mosrespektim të masave paraprake”, përfundon reagimi i ASH-së.