Flet doktoresha shqiptare nga Italia, tregon si të shpëtojmë nga Koronavirusi

Shpërndaje

Ajo prej 11 vitesh jeton në Itali dhe shërben në sistemin mjekësor të këtij vendi. Quhet Romina Selenica dhe shërben si Mjeke e Përgjithshme e profilizuar në kirurgji. Ditën e hënë, (9 mars) kur në vendin tonë u konfirmua rasti i parë i prekur me koronavirus ajo ka bërë një mesazh sensibilizues në shqip, një mesazh ndërgjegjësimi e jo alarmimi, duke u shprehur se ka qenë e pashmangshme që vendi ynë të mos prekej nga koronavirusi.

Video e saj u bë virale pasi ajo bën thirrje që gabimet e Italisë të shërbejnë për shqiptarët si një leksion, për të shpëtuar jetën e të gjithëve. Në një lidhje skype me Wake Up, Dr. Selenica tregoi vështirësitë me të cilat ajo dhe stafi mjekësor përballen çdo ditë. “Është një fluks i madh që ne po përpiqemi ta përballojmë me të gjitha forcat tona. Gabimi që ne bëmë ishte se kur u konfirmua pacienti zero në Padova izoluam vetëm atë dhe jo familjarët, miqtë apo njerëzit rreth tij dhe kështu virusi u përhap. Ju bëj thirrje që të mos bëni të njëjtin gabim që bëri Italia” -tha ndër të tjera Dr. Romina Selenica e cila dha përmes skype dhe mesazhe shumë të rëndësishme në luftën tonë kundër virusit Covid 19-të./TCH