Fluks i madh i qytetarëve për furnizim me miell, reagon Bekim Jashari

Shpërndaje

Banorët e Komunës së Skenderajt janë ankuar se kanë mbetur pa miell, krejt kjo për shkak panikut të krijuar pas masave që ka ndërmarr Qeveria e Kosovës për parandalimin e koronavirusit.

Lajmin se Skenderaj ka mbetur pa miell e ka mohuar kryetari i komunës, Bekim Jashari.

Jashari në prononcim për Insajderin, ka thënë se mund të jenë shpenzuar marketet, por fabrika e miellit “Sillos”, ka mjaftueshëm sasi.

“Marketet mund të jenë harxhuar, por Sillosi ka miell sa të duash. Qytetarët i ka kapur paniku dhe kanë blerë më të madhe miell e për këtë janë shpenzu marketet se miell ka”, ka thënë Jashari për Insajderin.

Gjatë bisedës, ai ka bërë me dije edhe për hapat që kanë ndërmarr si komunë.

“Pas orës 13:00 e kemi mbledhjen e bordit pikërisht për gjendjen e krijuar, që me u aktivizu në tërësi – shkollat veç kanë fillu me i pastru-dezinfektu, është ekipa e mjekëve e gatshme që një javë ditë”, është shprehur ai.

Se ka miell mjaftueshëm në gjithë Kosovën ka thënë se Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cil ka deklaruar se nuk ka nevojë për panik dhe rritje çmimesh, meqenëse ka sasi të mjaftueshme të miellit.

Theksojmë se pas vendimit që ka marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e virusit Covid 19, është krijuar panik në masë – qytetarët janë dyndur nëpër markete e barnatore për t’u furnizuar me shumicë me produktet ushqimore e farmaceutike.

Më poshtë gjeni masat e marra nga Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës:

Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësor dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër);

Kontroll i obliguar i ushtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese;

Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës;

Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër;

Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00;

Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë;

Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Varësisht nga zhvillimet e situatës Vendimet mund të plotësohen dhe ndryshohen në kohë reale dhe do të njoftohen qytetarët e Republikës së Kosovës./Insajderi.com