Fytyrat e reja në pozita humbëse. RISITË E LISTAVE PËR DEPUTET

Shpërndaje

Partive ju ka ngelur edhe një ditë deri në përfundim të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet. Ajo që është e përbashkët e për të gjitha paritë është pretendimi se në listat e tyre ka figura të reja. Por nga ana tjetër nëse “shoshiten” emrat që janë në ato lista del se në pozitat fituese përsëri janë eksponentë të deritanishëm partiak që kanë bartur poste e detyre të ndryshme partiake e shtetërore. Ndërkohë që figurat e reja janë në lista në pozita nga të cilat vështirë se mund të bëhen deputet.

Aktivisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Shpëtim Pollozhani thotë se partitë politike shqiptare i ndërrojnë vetëm instrumentet, ndërkaq si shprehet ai, kompozitori dhe muzikantët janë të njëjtë. “Gjëja kryesore për udhëheqësit e partive është që të sigurojnë nga një rogë për vete dhe për klubin e vetë. Vetë fakti se, edhe ministrat edhe funksionarët e rinj në moshë, prej të cilëve pritej një frymë e re në politikbërjë, e luajnë muzikën e vjetër, dëshmon se nuk ka muzikë të re me kompozitorë dhe muzikantë me afat të skaduar. Edhe këto zgjedhje do të shkojnë për dhjamë qeni. Që të ndryshojë gjendja duhet të ndërrojë tërësisht struktura dhe filozofia e partive politike”, deklaroi për KOHA, Pollozhani.Në anën tjetër, opinionistja Aleksandra Micoska Mitevska, vlerëson se ndryshimet e proklamuara nga partitë politike për listat zgjedhore janë kozmetike. Sipas saj edhe më tej emra të njohur të skenës politike në vend janë në krye të tyre, ndërsa në pozitat humbëse i ke fytyrat e reja. “Emra të rinj ke më poshtë në listat e kandidatëve për deputet, ndërsa në krye të listave edhe matej i ke figurat e njohura partiake. LSDM dhe BDl, si parti në pushtet, më se e qartë është të mbështeten në kuadro që kanë qenë më të eksponuar gjatë periudhës së kaluar. Risi më të mëdha priten në listat e kandidatëve për deputet nga radhët e VMRO-DPMNE-së, duke pasur parasysh turbulencat nëpër të cilat ka kaluar kjo parti, së pari pas dorëheqjes së Nikolla Gruevskit dhe zgjidhjes së udhëheqësish së re, ndërsa më pas edhe pas arratisjes së tij nga shteti”, deklaron Micoska Mitevska.

Ndërkohë që tashmë është publikuar lista e kandidatëve për deputetë nga LSDM-ja. Ashtu edhe siç u raportua më herët njësinë e parë zgjedhore bartës të listës do të jenë Nikolla Dimitrov dhe Milla Carovska. Me njësinë e dytë zgjedhore bartës të listës pritet të jenë Oliver Spasovski dhe Sanja Llukarevska. Në njësinë e tretë zgjedhore bartës i listës pritet të jetë Lupço Nikollovski dhe Jagoda Shehpanska ndërsa në njësinë e katërt bartës liste do të jetë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev. Radmilla Shekerinsa dhe Jovan Mitrevski pritet të udhëheqin me listën e njësisë zgjedhore me numër pesë, ndërsa në njësinë e gjashtë zgjedhore bartës liste pritet të jetë Bilall Kasami nga partneri i koalicionit-Lëvizja Besa. Nga lista e publikuar shihet se partneri i koalicionit, Lëvizja Besa pretendon të fitojë 4 deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore. Në njësinë e dytë zgjedhore, në pozitën e 8 renditet zv/ministrja për Punë të Brendshme, Sllavjanka Petrovska. Në njësinë e tretë zgjedhore në vendin e 10 renditet, Zekir Ramqilloviq, i cili ishte larguar nga VMRO-DPMNE-ja pasi votoi për ndryshimet kushtetuese së bashku me 7 deputetë tjerë nga opozita. Ramqilloviq lëshoi edhe grupin pavarur të VMRO-DPMNE-së deri sa më pas u caktua nënkryetar i Parlamentit.

VMRO-DPMNE-ja mësohet se në njësinë zgjedhore numër 1 do të garojë me Gordana Siljanovskan, ish kandidate për presidente. Në njësinë e dytë VMRO DPMNE-ja është duke analizuar pozicionimin e Vllado Misajllovskit dhe Rashella Mizrahit, në njësinë e tretë Igor Janushev, njësia e katërt Aleksandar Nikollovski, në njësinë e pestë gara mbetet mes Igor Durllovskit dhe Sillvana Angelovskas dhe njësinë e gjashtë mes Vllatko Gjorçev dhe Dafina Stojanova. Ndërsa kryetari i partisë Hristijan Mickovski nuk do të kandidojë për deputet por do të jetë vetëm se mandatar për kryeministër. BDl, në anën tjetër, ka përcaktuar emrat e bartësve të listave, ndërsa brenda partisë akoma është duke u kalkuluar për kandidatët e radhitur pas bartësve. Në njësinë zgjedhore numër një bartës do të jetë ish kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ndërsa pas tij mund të radhitet kandidat nga Saraji. Në njësinë e dytë bartës do të jetë ministri aktual i Arsimit, Arbër Ademi, ndërsa i dyti Berat Ajdari. Kandidati i tretë, që parimisht duhet të jetë femër mund të propozohet nga Çairi. Në njësinë e tretë zgjedhore për bartës liste pritet të zyrtarizohet emri i ish ministrit të Ekonomisë Bekim Neziri, në njësinë pestë, Talat Xhaferi, ndërsa në njësinë e gjashtë kreu i partisë, Ali Ahmeti.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ende nuk kanë miratuar listat përfundimtare të kandidatëve. Nga burime brenda partnerëve mësohet se degët akoma janë duke propozuar emra në partitë e tyre. Parimisht mësohet se në njësinë e parë bartës liste do të jetë kreu i Alternativës ndërsa i dyti i Aleancës. Edhe në njësinë e dytë bartësin do ta ketë Alternativa, ndërsa tre vendet pasuese, Aleanca për Shqiptarët. Pas Afrim Gashit në njësinë e dytë zgjedhore si bartës, mësohet se nga Aleanca për Shqiptarët, brenda organeve të partisë është përfolur emri i nënkryetarit të partisë, Ilmi Aziri. Në njësinë e pestë i pari do ta garojë Syrija Rashidi ndërsa pas tij, Remzi Memedi. Njësia e gjashtë tre vende e para i takojnë ASH-së dhe një Alternativës.

Edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit garës së 12 prillit do t’i hyjë e vetme, ndërsa në njësinë e gjashtë zgjedhore prijës liste do të jetë vet Thaçi. Në njësinë e dytë zgjedhore në listë kjo parti do të vendos të parin një kandidat nga Sllupçani, të dytin nga Likova ndërsa me numër tre, ndonjë kandidat nga Çairi. Kjo parti do të ketë kandidatë edhe në njësinë e parë dhe të pesat zgjedhore. Ndryshe, afati përfundimtar për dorëzimin e listave është 12 marsi, ndërsa dorëzimi i kandidaturave për deputet të pavarur ka përfunduar, ndonëse në këto zgjedhje nuk do të ketë kandidat të pavarur.