Kaq minuta para shkarkimit të Veliut, Kurti e njoftoi Mustafën

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media ka treguar se në lidhje me vendimin e shkarkimit të ministrit të brendshëm Agim Veliut, e ka njoftuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën më shumë se gjysmë ore para shkarkimit, shkruan Gazeta Insajderi.

Ai ka thënë se po të mos ishte deklarimi i mesnatës që e ka bërë ministri gjithçka do të ishte ndryshe.

“E kam njoftuar më shumë se gjysmë ore përpara kryetarin e LDK-së për vendimin që kam marrë. Në marrëveshjen tonë jemi zotuar që të kemi qëndrime të njëjta për çështjet që do na shfaqen. Po të mos ishte deklarimi i mesnatës i ministrit do të ishin ndryshe. Nuk duam të kemi ministra në qeverinë e re që harmonizojnë qëndrime me pushtetin e vjetër. As për deklarimin e djeshëm në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme kryetari i LDK-së, nuk është konsultuar me mua, kjo është shkelje e marrëveshjes sonë të koalicionit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka thënë se vazhdon të jetë shumë tolerant dhe është i interesuar për komunikim dhe bashkëpunim.

“Vazhdojë të jem shumë tolerant, jam i interesuar për komunikim dhe bashkëpunim, por rregullat dhe parimet, janë rregulla dhe parime që duhen të respektohen”, është shprehur ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas shkarkimit të Veliut nga kryeministri Kurti, ka mbajtur një mbledhje të kryesisë ku kanë vendosur të iniciojnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.