Kasami për MIA-n: SHBA-ja e mbështet koalicionin zgjedhor LSDM-BESA

Shpërndaje

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, këto ditë bëri një vizitë në Uashington dhe zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të Kongresit dhe Departamentit të Shtetit. Kasami u takua me kongresmenin demokrat, Eliot Engël, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme pranë Dhomës Përfaqësuese, më pas u takua me Dejvid Kostelançik, drejtor i zyrës së Evropës Juglindore dhe Azisë dhe ndihmës sekretarin e shtetit Filip Riker për Evropën dhe Euroazinë.

Në një intervistë për MIA-n, Kasami foli për rezultatet e këtyre takimeve në kryeqytetin amerikan, koalicionin e ri zgjedhor LSDM-Besa, si dhe planet e partisë për të kandiduar për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut të planifikuara për më 12 prill.

Zoti Kasami, keni pasur takime si në Kongresin Amerikan ashtu edhe në Departamentin e Shtetit. A mund të na thoni, a e mbështesin SHBA-ja koalicionin zgjedhor LSDM-Besa? Çfarë mesazhi morët si drejtues i Besës nga lidershipi amerikan, nga kongresisti Eliot Engël dhe nga Zëvendës Sekretari i Shtetit Filip Riker?

Vizita në Kongres dhe takimi me kongresmenin Eliot Engël, kryetar i Komitetit të Politikës së Jashtme, posti më i lartë i politikës së jashtme në Kongres, ishte shumë i rëndësishëm për ne. Zoti Engël është i një njohës i mirë i situatës në Ballkan, një mik i mirë i Maqedonisë, Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit, që mbron zhvillimin dhe integrimin e këtyre vendeve në NATO dhe në BE, kështu që ishte shumë e rëndësishme për ne që ta takonim atë në kohën e fushatës zgjedhore. Më e rëndësishmja për ne është që ai i mbështet këto procese me koalicionin parazgjedhor që janë shumë të rëndësishëm për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Në të njëjtën temë u diskutua edhe në Departamentin e Shtetit me Drejtorin e Zyrës për Evropën Juglindore dhe Azinë, Dejvid Kostelnaçik, i cili u informua për situatën në Maqedoni, koalicionet parazgjedhore dhe rrjedhën e fushatës. Ai përshëndeti këtë vendim të guximshëm të liderëve të LSDM-së dhe Besës. Në takim mori pjesë edhe zoti Filip Riker, i cili gjithashtu përshëndeti këto vendime të guximshme, me qëllim që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të kenë udhëheqës që para së gjithash do të punojnë për interesat e tyre dhe interesat e shtetit, në mënyrë që Maqedonia të bëhet një anëtare me të drejta të barabarta e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur, ashtu siç presim së shpejti që të bëhet anëtare e NATO-s.

Për herë të parë në historinë politike maqedonase, një parti e shqiptarëve hyri në një koalicion parazgjedhor me një parti kryesore maqedonase siç është LSDM-ja. Cila është fija e përbashkët që lidh Besën dhe LSDM-në?

Për informacion të opinionit, kjo është hera e parë që në zgjedhjejt paralamentare të ketë një koalicion të tillë. Përndryshe, ne kemi pasur koalicione edhe në zgjedhjet lokale, dhe pastaj në zgjedhjet presidenciale, kur BDI-ja u bashkua me LSDM-në. Për dallim nga ato koalicione që kanë punuar në interesin personal të kandidatëve në zgjedhjet lokale, ose me qëllim të zgjedhjes së Presidentit Stevo Pendarovski, ky koalicion ka si detyrë të dëshmojë se Maqedonia ka aftësi të ndërtojë një shoqëri e cila është e barabartë për të gjithë. Për të ndërtuar një shtet dhe institucione që do të jenë të barabartë para të gjithëve. Pavarësisht nga dallimet që ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut.

Ju keni qenë në opozitë deri më tani. Në çfarë do të bazohet programi juaj zgjedhor? Tani nga pozicioni i opozitës do të hyni në Qeveri. Çfarë vizioni keni për Maqedoninë e Veriut nëse vini në pushtet?

Deri më tani, të gjitha partitë politike, veçanërisht partitë politike shqiptare, janë mbërthyer rreth retorikës nacionaliste para zgjedhjeve, për të harruar gjithçka pas zgjedhjeve dhe për të hyrë në kombinime të panatyrshme. Kujtojmë që nga viti 2002 BDI, si parti që doli nga konflikti, pas zgjedhjeve u bë koalicion me LSDM-në, më pas me VMRO-DPMNE-në dhe më pas me LSDM-në. Një koalicion i panatyrshëm ishte edhe kur PDSH-ja hyri në një koalicion me VMRO-DPMNE, dy parti, relativisht me koncepte nacionaliste. Ne jemi bashkuar për herë të parë në një koalicion parazgjedhor që do të ofrojë një program të zhvillimit të barabartë ekonomik, drejtësi për të gjithë, reformim të sistemit juridik, në mënyrë që të mos ketë më raste të montuara, ligji të jetë i barabartë për të gjithë, dhe individët të mos jenë mbi ligjin, siç ishte rasti deri në vitin 2016, kur pushteti përfshiu të gjitha institucionet, veçanërisht ato ligjoro-jurudike. Më në fund, ajo që na bashkon me LSDM-në është të arrijmë integrimin më të shpejtë të vendit në BE. Ne jemi të bindur që të gjithë qytetarët do të gëzojnë përfitimet e anëtarësimit të plotë në BE.

LSDM shpalli konkursin, lideri i partisë Zoran Zaev njoftoi këtë javë se ka shumë kandidatë për listat elektorale në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. A do të jeni ju bartës i listës zgjedhore në Njësinë e Gjashtë Zgjedhore?

Marrëveshja është që të dalim me kandidatët më të mirë që kemi në lëvizjen Besa dhe në koalicion me LSDM-në. Nuk ishte më e rëndësishme kush ku do të garojë, por me siguri si lider i Besës që vjen nga Njësia e Gjashtë Zgjedhore, do të ishte normale për mua ta drejtoja atë. Shpresoj që kandidatët e tjerë që do të vijnë pas meje, qoftë nga Lëvizja, qoftë nga LSDM-ja, do të jenë kandidatët më të mirë, në mënyrë që të valorizojnë votuesit të votojnë për kandidatët, jo për koalicionet.

Boris Kamçev

Intervista ne gjuhen maqedonase: