Kriza në Idlib, takohen Erdogan dhe Putin

Shpërndaje

Situata e tensionuar në Idlib i uli bashkë në Moskë Presidentët e Rusisë dhe Turqisë, Vlladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdogan. Para fillimit të takimit, dy presidentët u shprehën optimistë se do të gjejnë zgjidhje për ta tejkaluar krizën në Idlib duke theksuar se marrëdhëniet mes dy shteteve janë në nivelin më të lartë të mundshëm.

“Situata në Idlib është aq akute sa ishte e domosdoshme të takoheshim. Shpreh keqardhje për ushtarët tuaj të vdekur, këto vdekje janë gjithnjë tragjedi. Fatkeqësisht, ashtu siç ju thashë edhe në bisedën telefonike, ushtarët sirianë nuk e kanë ditur se ushtarët turq ndodheshin aty. Që atëherë edhe ushtarët sirianë kanë pësuar humbje serioze. Andaj kemi nevojë ta diskutojmë të gjithë situatën, në mënyrë që diçka e këtillë të mos ndodhë sërish. Kjo nuk do të prish marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë dhe e di se edhe ju i vlerësoni këto marrëdhënie”, tha Putin.

“Ky takim është shumë i rëndësishëm për krizën në Idlib. Situata në rajon është shumë akute dhe e di se e gjithë bota i ka sytë në këtë vend, në këtë takim. Besoj se diskutimi dhe vendimet e sotme do të ndihmojnë në tejkalimin e situatës së tensionuar. Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë sot janë në nivelin më të lartë, si në bashkëpunimin në mbrojtje ashtu dhe për gjithçka tjetër. Ne besojmë se na duhet edhe më shumë progres dhe detyra sot është t’i përmirësojmë këto marrëdhënie. Besoj dhe shpresoj se do të kemi sukses”, tha Erdogan.