Kryeministri Albin Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm, Agim Veliu

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkarkuar sot ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Agim Veliun, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, Agim Veliu në një intervistë dhënë për një televizion vendor ka deklaruar se është “kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.

Ndërsa, gjithashtu, në këtë deklarim, siç njofton komunikata Veliu “përhapë panik duke thënë se numri i të prekurve po rritet prej ore në orë.

“As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga koronavirusi, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime”, ka thënë kryeministri Kurti.

Tutje, Kurti në njoftim ka thënë se Veliu “ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”.

“Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri”, ka thënë Kurti.

Deri në zgjedhjen e ministrit të ri, të gjitha vendimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të merren nga zëvendësministri aktual, Xhelal Sveçla.

Nga LDK theksuan se vendimi për shkarkimin e ministrit Veliu nuk është i pranueshëm dhe se shkel marrëveshjen e koalicionit qeverisës të arritur midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK.

Isa Mustafa, kreu i LDK-së, po ashtu tha se nuk është konsultuar për shkarkimin e ministrit dhe bëri thirrje të anulohet ky vendim.

Agim Veliu u zgjodh ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nga radhët e LDK-së në kabinetin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti. Veliu ka dhënë dorëheqje nga posti i mëparshëm i kryetarit të Komunës së Podujevës për ta marrë këtë post, ndërsa zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë të planifikuara të mbahen më 15 mars, janë shtyrë deri në afat të pacaktuar për shkak të përhapjes së koronavirusit Covid-19 në Kosovë.

Për marrëveshjen për koalicion qeverisës, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kaluar më shumë se tre muaj negociata, që pas daljes në vendin e parë të Vetëvendosjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit 2019.

Sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje midis VV dhe LDK, gjashtë ministri janë ndarë për VV-në dhe gjashtë të tjera për LDK-në, ndërsa tre ministri për minoritetet në vend.