Kurti flet për mocionin e LDK-së: Jam njeri që s’ndalet para asnjë pengese

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po bën thirrje të mos shkaktohet krizë e re politike pas përpjekjeve të LDK-së për mocion mosbesimi ndaj Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se vështirësitë vetëm sa ia shtojnë vullnetin për punë, ndërkohë thotë se për bindjen e tij, kësaj krize me pandeminë të mos i shtohet edhe kriza politike.

“Unë po e theksoj atë që e përmenda në konferencën. Unë jam kryeministër me vullnet, me program me dije dhe me përvojë të gjatë politike. Jam njeri që s’ndalet para asnjë pengese, dhe vështirësitë vetëm sa ma shtojnë vullnetin për punë. Parashikimet i bëjnë analistët. Bindja ime është që kësaj krize shëndetësore nuk duhet t’ia shtojmë edhe krizën politike”, ka potencuar Kurti, raporton Gazeta Express.

Përveç tjerash, Kurti ka folur edhe për protestat që po bëhen nga shtëpitë si rezultat i irritimit të qytetarëve me klasën politike në Kosovë.

“Unë jam kryeministër. Nuk i kemi ende dy muaj në detyrë. Besoj që këtë periudhë kemi vepruar shumë dhe mirë. Kosovën e kemi gjetur në një gjendje jo të mirë, dhe kur kësaj iu shtua pandemia, mesiguri që të gjithë ne u alarmuam, por besoj që deri sot edhe vlerësimet që kemi marrë si qeveri nga ndërkombëtarët e nga qytetarët nuk janë të pabazuara. Pra ne jemi në ballë të detyrës dhe punojmë aq sa mundemi e aq sa dijmë.

Qyetarët po protestojnë nga shtëpitë e tyre, dhe po e respektojnë kërkesën e qeverisë, ndërkohë po tregojnë që pavarësisht qëndrimit në shtëpi, vitaliteti I tyre si qytetar të republikës nuk rresh asniherë”, ka thënë Kurti.
Kjo deklaratë ka ardhur pasi raportet ndërmjet LDK’së dhe VV’së janë në pikën zero prej kur Albin Kurti e shkarkoi Agim Veliun përmes një njoftimi për medie. Në anën tjetër, LDK’ja e aktivizoi mocionin e mosbesimit të Qeverisë, që po e përkrah edhe opozita.