Kurti: Kërkesa e Thaçit për Gjendje të Jashtëzakonshme e paarsyeshme, e palogjikshme dhe e panevojshme (Video)

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se propozimi i presidentit për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme është i paarsyeshëm dhe i panevojshëm.

Ai tha se presidenti Hashim Thaçi ishte parapërgatitur që të insistojë mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që të shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme, që sipas Kurtit, nuk ka nevojë për një hap të tillë.

“Në ditën e djeshme kishim zhvillim të pazakontë meqë presidenti u angazhua për t’u shpallur Gjendja e Jashtëzakonshme në Republikën tonë. Kishim mbledhje të Këshillit të Sigurisë raportet ditore të së cilit unë i marr përditë si kryeministër i Kosovës. Në këto raporte ka një gjë të përbashkët: te konkluza mbi gjendjen e sigurisë është ngjyra e verdhë. Është e vërtetë që nuk është ngjyra e gjelbër si para një muaji, por nuk është as ngjyrë portokalli dhe as ajo e kuqja, por ajo e verdhë – situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme”.

“Por, përkundër kësaj pikërisht në Këshillin e Sigurisë u propozua që të kemi shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme nga ana e presidentit. Për bindjen time të fuqishme kjo është e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme dhe e padobishme”.

“Edhe në konsultën me presidentin pardje, edhe në mbledhjen e mbrëmshme, e përsërita qëndrimin se kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe nuk jemi në shfrytëzimin e të gjitha masave të mundshme për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Kishim insistim të parapërgatitur me tekste të gatshme që me çdo kusht të shkohet në shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”.

“Mbledhjet e Këshillit të Sigurisë i udhëheq kryeministri. Unë isha shumë koperativ, meqë mbledhjen që u kërkua mbrëmë, brenda pak orëve e thirra në orën që ishte kërkuar edhe pse nuk kishte urgjencë për një gjë të tillë. E dimë që jemi në pritje të përgjigjes së Kuvendit për kërkesën e presidentit për dekretin e tij për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”.

“Edhe sot jam i bindur se nuk ka nevojë për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme. Është e mundshme që një nevojë e tillë të shfaqet në javët në vijim. Unë punoj, uroj dhe lutem që kjo të mos ndodhë, por jam i bindur se as mbrëmë dhe as sot nuk kemi arsye për një gjë të tillë”./klankosova/