Letra që Thaçi ia dërgoi Pompeos për ta penguar punën e Speciales (Dokument)

Shpërndaje

Më 29 nëntor të vitit të kaluar, Presidenti i vendit Hashim Thaçi i ka dërguar letër Sekretarit të Shtetit Amerikan Mike Pompeos lidhur me shqetësimet e institucioneve kosovare për punën e Gjykatës Speciale.

Në letrën e siguruar nga Klan Kosova, shkruan se Dhomat e Specializuara nuk kanë dhënë rezultate sic është paraparë me mandatin e vet të përcaktuar me Bashkimin Europian dhe Marrëveshjen me Shtetin Nikoqir, Holandën.

“Institucionet e Kosovës i janë tepër mirënjohës Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti Zyrës për Drejtësi Globale Kriminale të departamentit të Shtetit, për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare për etablimin e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sido që të jetë, ju shkruaj që zyrtarisht t’ua sjell në vëmendje shqetësimin tonë që edhe pasi kanë kaluar 5 vjet, që është edhe periudha tranzitore e paracaktuar në fillim, ka pasur pak progres në zbatimin e mandatit të paraparë të Dhomave të Specializuara. Po ashtu, më duhet të shpreh rezerva serioze, në emër të institucioneve të Kosovës, që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit, nuk kanë dhënë rezultate siç është paraparë me mandatin e vet të përcaktuar në letrat e BE-së me Marrëveshjen me shtetin nikoqir, Holandën”.

“Me keqardhje më duhet ta shpreh shqetësimin tim që mënyra në të cilën këto institucione gjegjëse vazhdojnë të operojnë është në kundërshtim direkt me atë që fillimisht ishte paraparë dhe ishim marrë vesh”.

“Kurrë nuk ka qenë qëllim i institucioneve të Kosovës që të gjitha procedimet të barten në shtetin e tretë të caktuar dhe të zhvendosen plotësisht nga sistemi ekzistues i drejtësisë kriminale”.

Me keqardhje të madhe jua sjelli në vëmendjen tuaj këtë shqetësim, por është shqetësim serioz, pas jam i obliguar të reagoj si president i Kosovës, të cilit i janë besuar siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, po ashtu nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, kultivimi i parimeve të demokracisë, mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe ruajtja e sovranitetit të shtetit. Në të kundërtën, identiteti ynë shtetëror, përpjekjet tona për pavarësi dhe sakrificat që i kemi bërë në emër të kombit do të dëmtohen”.

“Qëllimi i themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës ka qenë që të ndërtohet një kornizë vendore ligjore dhe institucionale kredibile për t’i hetuar dhe ndjekur krimet që dyshohet të jenë kryer gjatë 1998-2000 në Kosovë. Në këtë kontekst ka qenë e paraparë që krimet që dyshohet të jenë kryer në të dy anët e konfliktit do të hetoheshin plotësisht dhe në mënyrë të duhur. Është e papranueshme që personat emrat e të cilëve janë përmendur në raporte publike, sic është ai i senatorit zviceran Dick Marty, i publikuar në vitin 2010, i janë nënshtruar për gati 10 vite kërcënimeve se do të hetohen dhe potencialisht të gjykohen”./KLANKOSOVA/

Verzioni anglisht: