Maqedoni e Veriut: Anulohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Shpërndaje

Deklarta e Zoran Zaevit:

Kryetari i Partisë Socialdemokrate në pushtet, Zoran Zaev pas takimit të mbajtur të martën (17.03) tek presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka thënë, se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Për datën e re të zgjedhjeve do të vendoset pas normalizimit të gjendjes me Covid-19, tha ai. “Nuk ka kushte për zgjedhje normale, liderë të përgjegjshëm të gjithë vihen në funksion në luftë me koronavirusin”, ka deklaruar Zaev.

Zaev ka theksuar se gjendja është shumë serioze. Ai ka kërkuar edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend. “Mënyra më e mirë për përballjen me koronavirusin do të ishte shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe jo shpallja e gjendjes së krizës, siç kërkoi lideri i opozitës, Hristijan Mickovski. Kjo do të na ndihmojë në marrjen e masave adekuate për të mbrojtur jetën e qytetarëve, marrjen e masave ekonomike dhe të masave tjera në funksion të normalizimit të gjendjes”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Deklarata e Hristijan Mickoskit:

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka mbështetur masat, por ka kërkuar edhe respektimin e Kushtetutës, si në rastin e anulimit të zgjedhjeve, ashtu edhe për përballje me koronavirusin, gjegjësisht shpalljen e gjendjes së krizës. “Mbetemi në qëndrimet se prioritet mbetet shëndeti i qytetarëve dhe përballja me virusin. Edhe më parë kemi tërhequr vëmendjen për masa më të qarta dhe efikase dhe jo të priten paraqitjet e rasteve që më pas institucionet të nisin me punën. Që para një jave kërkuam masa parandaluese, por institucionet pritën paraqitjen e rasteve të para që më pas të ndërhyjnë”, ka deklaruar Mickovski.

Deklarata e Bujar Osmanit:

Përfaqësuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani pas takimit të së martës në kabinetin e presidentit, Stevo Pendarovski, njoftoi se të gjitha partitë politike janë dakorduar, se duhet të shtyhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Osmani theksoi se presidenti Pendarovski në konsultim me ekspertët juridikë do të përcaktojë mënyrën ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve. “Kemi konstatim të përbashkët se zgjedhjet do të duhet të anulohen, sepse shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm. Mënyrën se si do të implementohet ky vendim politik mbetet që presidenti së bashku me ekspertët ta vendosë në orët dhe ditët në vazhdim”, ka thënë Osmani.

Deklarata e Ziadin Selës:

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe fushata që duhet bërë janë çështja e fundit para kemi shëndetin e të gjithëve e më pas zgjedhjet.Të respektojmë rekomandimet që na jepen, le të mos lejojmë trupi ynë të bëhet vendbanim i virusit! Ndryshimi do të bëhet por tani ta kalojmë situatën e keqe të koronavirusit!, tha Ziadin Sela.

Deklarata e Bilall Kasamit:

Sot, në takimin e liderëve tek Presidenti i Shtetit, u dakorduam që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të shtyhen për një afat të pa caktuar, shkaku i “COVID – 19”. Shëndeti i qytetarëvë është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Andaj, t’i respektojmë rekomandimet për të qëndruar në shtëpi, sepse vetëm kështu pandeminë mund ta mposhtim më lehtë!, tha Bilall Kasami.