Në ora 13:00 LDK mbledh Grupin Parlamentar, vendoset për mocionin e mosbesimit

Shpërndaje

LDK mbledh Grupin Parlamentar në ora 13:00, vendoset për mocionin e mosbesimit.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vendosë sot lidhur me nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se mbledhja e Grupit Parlamentar do të mbahet sot në orën 13:00.

“Sot kemi mbledhjen e Grupit Parlamentar, duke filluar nga ora 13:00. Aty vendosim dhe ju tregojmë”, ka deklaruar ai.

I pyetur lidhur me unitetin brenda LDK-së karshi rrëzimit të qeverisë dhe kundërshtimit të Vjosa Osmanit, Gashi është shprehur se vendimi tashmë “është marrë në Kryesinë e LDK-së”.

“Znj. Osmani ka të drejtën e vendimit dhe shprehet me të drejtën e vet brenda Kryesisë, të cilën e ka shfrytëzuar”, ka thënë Gashi, në një bisedë telefonike me Insajderin.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë të ditur të martën, në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, se subjekti i tij do të nisë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë pas shkarkimit të ministrit të brendshëm, Agim Veliu.

Veliu u shkarkua të martën pasdite me vendim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.