Nxehet debati Kurti-Haradinaj: “Demarkacioni, Çakori, Zhlebi… tap në karrige e lëshuat bajrakun” (Video)

Shpërndaje

Në seancën për mocionin e rrëzimit të qeverisë kanë filluar edhe përplasjet mes deputetëve dhe kryeministrit Albin Kurti. Deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj, ka thënë se Kurti ka pranuar se e ka hequr taksën pas bisedës që ka pasur me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Haradinaj ka thënë se Kurti tashmë ka mbetur pa taksë e reciprocitet dhe pa mbështetje. “Në twittin për bisedën me kancelaren Merkel e ke pranuar shprehimisht që e ke hequr taksën. Sot s’ki as taksë as reciprocitet e as mbështetje”, ka thënë Haradinaj.

Ndaj fjalës së Haradinajt ka reaguar kryeministri Kurti, i cili i ka kujtuar deputetit të AAK’së kauzën për demarkacionnin me Malin e Zi. Kurti ka thënë se të AAK’së e kishin marrë bajrakun për çështjen e kufirit me Malin e Zi, por e kishin lëshuar në fund sapo Haradinaj u bë kryeministër.

Tutje kreu i VV’së ka thënë se Daut Haradinaj e kupton që seanca e sotme është thirrë për ta shkarkuar kryeministrin dhe jo për ta hequr taksën. “Z. Haradinaj, e kuptoni se është e thjeshtë. Nuk po hiqet tarifa, por kryeministri. Ju e merrni bajrakun e në fund e lëshoni për karrige”, ka thënë Kurti.