Qeveria Kurti miraton projektbuxhetin për vitin 2020

Shpërndaje

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për vitin 2020. Ky projektligj do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për votim, njofton Klan Kosova.

Ministri i Financave, Besnik Bislimi, ka treguar për sfidat që do t’i kenë edhe me borxhet që kanë mbetur nga qeveria e kaluar, si dhe kontratat e nënshkruara.

“Për këtë vit pritet një stabilitet i çmimeve. Buxheti do të jetë 2 miliardë e 20 milionë euro që në krahasim me vitin e kaluar do të jetë një rritje prej një norme 7 për qind”.

“Një masë të obligueshme prej 328 milionë eurove e kemi barrë të madhe të buxhetit dhe për këtë0 duhet të përdorim të hyrat tatimore. Gjithashtu, problem janë edhe projektet e vazhdueshme ku kanë nënshkruar kontrata për një numër të madh dhe si pasojë kjo ndikon programimin qeverisës”.

Po ashtu, Bislimi ka paralajmëruar se edhe në Kosovë mund të ketë ndikime në financa për shkak të koronavirusit, në rast se kjo ndodhë edhe në vendet evropiane.

“Njëkohësisht jemi dëshmitarë të një paniku që ka paralizuar në masë botën. Ne në Kosovë nuk kemi vërejtur rënie, përveç mallrave nga Kina. Por, nëse koronavirusi paralizon jetën ekonomike në Europë, kjo mund të ndikojë edhe te ne”.

“Shpenzimet kapitale do të jenë 77 milionë euro që financohen nga klauzola e investimeve. Shpenzimet buxhetore do të jenë 2 miliardë e 357 milionë euro. Kemi parë një rezervë të madhe që mund të na dalin për shkak të ligjit për paga”.

Ndërkaq, Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka kërkuar që të ndahet një kod pensional për punëtorët e arsimit që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Janë 304 persona në arsim dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Kërkoj nga ministritë respektive në kodin pensional që ata të kenë pagë 70 për qind për shkak të terapive të tyre. Kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit”.