Rama i del në mbrojtje Kurtit për taksën – Sulmon Haradinajn

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë,, Edi Rama, ka deklaruar se Ramush Haradinaj me paturpësi po e sulmon Albin Kurtin. Ai ka thënë se ish-Kryeministri i Kosovës po baltos njeriun që po e zhbllokon Kosovën me heqjen e taksës ndaj Serbisë.

“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit. Albini mund të jetë gjithçka por kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!”, ka shkruar Rama në tëitter.

Reagimi i Ramës ka ardhur pasi Ramush Haradinaj akuzoi Albin Kurtin se ka bërë marrëveshje me Aleksander Vucicin për heqjen e taksës. Ka thënë se Kurti është dorëzuar herët ndërsa ka paralajmëruar veprime edhe më të këqija nga Kryeministri i ri i Kosovës.

Gjithë këto akuza, Edi Rama i ka quajtur idiotësi. Ka thënë se ideja se përmes taksës Serbia do ta njohë Kosovën është e parealizueshme.

“Asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës se sa ajo taksë e kthyer në një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA’s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës”, ka shtuar Rama.

Kosova vendosi taksën në fund të vitit 2019. Prej atëherë ka nisur presioni ndërkombëtar për heqjen e saj. Ramush Haradinaj dha dorëheqje duke mos pasur mundësi t’i bëjë ballë kërkesave të ndërkombëtarëve.

Albin Kurti ka paralajmëruar se taksa hiqet tërësisht nga 1 prilli ndërsa pjesërisht nga 15 marsi i këtij viti.

Lëvizjet e Kurtit erdhën pas kërkesave të SHBA’së. Pavarësisht vendimit të fundit të Kurtit, zyrtari amerikan Richard Grenell tha se SHBA nuk pajtohet me heqjen e taksës me kushtet. Madje, tha se Kurti po bën gabim serioz me këto veprime.

Në anën tjetër, Hashim Thaçi, ka vazhduar të kërkojë heqjen e taksës. Ai aktualisht ndodhet në vizitë në Amerikë.