Rrëfehet pacientja me koronavirus në Shqipëri: Nuk është shaka, keni përgjegjësi jetën e të tjerëve (Video)

Shpërndaje

Për herë të parë një pacient i prekur nga koronavirusi në Shqipëri ka dal me zë dhe figurë për të shprehur publikisht atë që është duke përjetuar nga kjo sëmundje.

Një vajze e re ka rrëfyar situatën që po kalon duke dhënë edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët në këtë moment të vështirë të një beteje me një kundërshtar të padukshëm që në Europë po shkarkon tragjedi të mëdha.

E reja, thotë që pasojat psikologjike të qëndrimit në shtëpi kur je e shëndetshme janë të papërfillshme në raport me pasojat që sjell ardhja e ambulancës në shtëpi për të marrë një të afërm apo moment kur të sjellin lajmin që je pozitiv me COVID-19.

“ Është një rrezik që ne nuk mund ta shohim. Ky virus nuk është shaka. Po jua thotë dikush që ka një person në spital e që po vuan pasojat. Jam karantinuar në shtëpi me zero kontakt njerezor. Ky virus nuk është luftë individuale por një luftë e gjithë njerezimit. Ne na duhet të bëjmë shumë pak në raport me ate që po bëjnë mjeket dhe infermieret. Ne na duhet vetëm të rrimë në shtëpi. Me vjen keq kur shoh në internet sa shumë njerez dalin në rrugë edhe këtu në lagjen time ku ne jemi dy persona të infektuar. Për fat të keq edhe ne nuk e dime se nga kush jemi infektuar pasi nuk kemi qënë në Itali. Prandaj duhet të bëjmë kujdes, sepse nuk e dime ke infektojmë dhe nga kush infektohemi. Beni kujdes, sepse këtu keni përgjegjësinë mbi jeten e tjetrit”.

Kryeministri Rama që publikoi rrëfimin e vajzës së re shqiptare në faqen e tij në facebook e ka falenderuar për mesazhin e fortë që dha në një moment të vështirë.

Ti zemër do ia dalësh padiskutim dhe unë jam me ty, të gjithë ne jemi me ty, deri kur të shërohesh plotësisht!Por ti meriton edhe një falenderim të megjithëzemërt, për fjalët e thjeshta, të vërteta, të ndjera, që ke ndarë me të gjithë ne, sot kur të gjithë kanë nevojë të dëgjojnë dhe disa prej nesh, kanë akoma nevojë të kuptojnë që jemi në një luftë botërore për jetën, jo në një lojë kukamçefthi, ku kemi të drejtën të mërzitemi e të ankohemi pse po e kufizojmë skajshmërisht lirinë tonë!Ti nuk ke nevojë për kurajo, sepse dalja jote publikisht tregon se kurajon e ke të jashtëzakonshme, kështu që unë nuk mund të të jap kurajo ty, po dua të të falenderoj për kurajon që ti më dhe mua me fuqinë magnetike të brishtësisë tënde.Përqafime nga larg dhe me patjetër do të takohemi kur të mbarojë lufta❤