Selimi: Ka marrëveshje të gatshme Thaçi-Vuçiq, mungojnë vetëm nënshkrimet

Shpërndaje

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se mënyra e komunikimit, gjuha dhe qasja nuk janë të njëjta mes kryeministrit Albni Kurti dhe presidentit, Hashim Thaçi.

Sipas tij, Kurti duke respektuar mandatin e tij kushtetues ka qenë dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionin e presidentit.

Selimi në Rubikon të KTV-së ka deklaruar se dje nuk kanë qenë të barabarta adresimet publike që janë bërë.

Ai thotë se Kurti dje në Kuvend ka thënë se heqja e taksës po kërkohet më shumë që t’i hapet rrugë një marrëveshje që ka negociata sekrete.

“Në vend që ta demantojë këtë, duket që presidenti Thaçi u tregua jo i qetë. Ai nëse ka dashur ta demantojë, ka pasur podium ta bëjë këtë. Nervozizmi i tij lë shumë të kuptojmë se ai ka problem edhe me stabilitetin karshi opinionit. Kurti ka pasur të drejtë që ka thënë se ka pasur edhe negociata sekrete, si rrjedhojë ka edhe një marrëveshje sekrete që po mbahet fshehtë. Kurti e tha dje që ka informacione nga pozita e kryeministrit, që ka pasur negociata sekrete”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjatë gjithë raporteve mes Thaçit dhe Serbisë kanë qenë marrëveshje jo transparente dhe bisedime sekrete.

Ai thotë se opinioni në Kosovë kur nuk e ka ditur se çka po nënshkruhet paraprakisht.

Selimi tutje ka shtuar që në Kuvendin e Kosovës duhet të listohen gjërat të cilat duhet dhe nuk duhet të negociohen.

Ai thotë se rezoluta e brendshme nuk u dështua por mbeti të votohet në seancën tjetër.

“Duhet në Kuvend të dimë qartë se çka negociojmë dhe çka jo. Raportet me Serbinë kanë shkuar me një fazë që janë shumë serioze. Zhvillimi dhe ardhja në prag të finales, e bënë çështjen shumë më serioze. Kërkohet heqja e taksës për t’i hapur rrugë dialogut, në anën tjetër në interpretim nga i njëjti thotë se sapo të hiqet taksa do të ketë takim dhe do të nënshkruhet marrëveshja. Edhe Veseli tha se ka bërë një ofertë që hiqet taksa dhe të nesërmen të nënshkruhet marrëveshja. Unë po mendoj që jemi në situatë që ka marrëveshje të gatshme dhe mungon vetëm firma”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, ka thënë se marrëveshja e gatshme është në mes Thaçit dhe Vuçiqit.

Ai ka thënë se “s’kam pse t’i besojë ose të mos i besojë ndërmjetësuesit kur e di që Thaçi është në mes. Kosova është para një presioni për këdo që vjen, e në krye të presionit është Thaçi. Dimë që në marrëveshje bëhet fjalë për territore nën kamuflimin e korrigjimit të kufijve”, ka thënë ai.

Selimi thotë se duan që një marrëveshje e mirë të ketë garantues.

Ai ka thënë se Kurti nuk do ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë.

“Kurti e ka bërë të ditur se në cilat rrethana dhe në cilat kushte mund të marrë rolin e tij në dialogun me Serbinë. Kurti ka thënë se nuk do të negociojë me Thaçin e Vuçiqin mbi hartat.

Ai thotë se Thaçi do të mundohet që t’i shmanget votimit në parlament për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.