Shfuqizohet vendimi i Qeverisë Haradinaj që i mundësonte Bechtel-it 50 milionë euro shtesë për autostradë

Shpërndaje

Sot është anuluar vendimi i Qeverisë Haradinaj për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ky anulim ka ardhur në mbledhjen e Qeverisë e cila është mbajtur sot, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku. Këtë vendim e ka mbështetur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq ka marrë edhe mbështetjen e gjithë kabinetit qeveritar.

Bechtel Enka po kërkon rreth 50 milionë euro dhe se kërkesën e tillë ky konsorcium po e mbështet në një vendim të Qeverisë Haradinaj të vitit të kaluar, ka shkruar të mërkurën Koha Ditore. Vendimi i mbledhjes se Qeverisë të mbajtur më 28 maj 2019 kishte të bënte me zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” deri në fund të vitit 2020. Në pikën 2 sqarohej se kjo zgjatje e punëve po bëhej për të përfunduar ndërtimin e disa kyçjeve në autostradë.