Sveçla: Thirrja e presidentit – shqetësuese, vendimi i Qeverisë do të zbatohet

Shpërndaje

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka konsideruar shqetësuese deklaratën e presidentit Thaçi që nuk janë obligative kufizimet e Qeverisë.

“Thirrja e presidentit për mos dëgjueshmëri është shqetësuese. Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon”, ka shkruar Sveçla.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet në nenit 55 të Kushtetutës, paragrafi 1, dhe në Ligjin nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.

Tutje Sveçla ka bërë thirrje që qytetarët t’i pranojnë masat e Qeverisë dhe t’i zbatojnë.

“Presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin. Qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe së bashku t’i zbatojmë masat, që ta fitojmë luftën kundër coronavirusit”, ka shkruar tutje ai.

Sveçla ka thënë që Policia është e autorizuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë.

“Ligji nr. 04/L-076 për policinë e sqaron se zyrtari policor është i autorizuar që përkohësisht t’ia kufizojë lirinë e lëvizjes personit në një zonë të caktuar ose ta orientojë lëvizjen e tij në një zonë tjetër, me qëllim që të sigurohet zona e caktuar për t’i arritur objektivat legjitime të policisë apo për t’i mbrojtur personat nga rreziku i përkohshëm. NJË PREJ OBJEKTIVAVE LEGJITIME TË PËRCAKTUARA SHPREHIMISHT NË LIGJ ËSHTË MBROJTJA E PERSONAVE NGA EPIDEMITË”, ka shkruar ai.

Sveçla ka thënë se si ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Brendshme, bashkë me të gjithë policët e Kosovës, ‘do të garantojmë që në Republikën e Kosovës askush të mos jetë përmbi ligjin dhe kushtetutën’.

Sipas tij duhet hequr dorë nga nxitjet kundër Qeverisë në këtë kohë pandemie.

“I ftoj partitë politike dhe mediat, por edhe zyrtarët e lartë shtetërorë që, në kushtet e emergjencës të heqin dorë nga nxitjet kundër qeverisë e nga polarizimi i shoqërisë, sepse kjo nuk ndihmon. Coronavirusi është armiku i të gjithëve, mjaft ia drejtuam shpatat njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

Sonte Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve dhe kjo pritet të ndahet në dy kohë të ndryshme. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Ndërsa përmes një konference për media presidenti ka thënë se Policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti.

Ndërsa numri i të prekurve nga coronavirusi ka shkuar në 61.