Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku votuan kundër prishjes së koalicionit LVV-LDK

Shpërndaje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij njoftoi se kanë vendosur të inicojë mocion votëbesimi për Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, gjë të cilën nuk e kanë përkrahur as Vjosa Osmani e as Lumir Abdixhiku.

Telegrafi ka mësuar nga burime të sigurta, se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka votuar kundër prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërsa, po të njëjtin qëndrim e ka pasur edhe ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku.

Votimin e nënkryetares Vjosa Osmani kundër inicimit të mocionit të votbesimit për Qeverinë Kurti e ka konfirmuar nënkryetari Veliu.

“Votimi ka qenë unanim, përveç Vjosa Osmanit e cila ka votuar kundër”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të dalë nga koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, pas vendimit të sotëm të kryeministrit Albin Kurti që të shkarkojë Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Arsye kryesore sipas Mustafës, është mos-heqja e tarifës 100 për qind ashtu siç kanë kërkuar SHBA-të, gjë e cila po rrezikon marrëdhëniet me aleatët.

“Në mbledhjen e kryesisë trajtuam gjendjen e shtetit, rrezikim e marrëdhënieve me SHBA-të, si rezultat të mos-plotësimit të kërkesës me heqjen e tarifës dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu. I kam dhënë arsyet tona që në esencën e programit të LDK-së është ëmiqësia e përhershmë me SHBA-të dhe partneriteti me ta dhe nuk mund ta cenojmë integritetin tonë politik, me një vend që na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë, ta shpallim pavarësinë e vendit tonë. Me 15 ka kapërcyer afati për heqjen e pjesshme të tarifës, me të cilën ne nuk ishim pajtuar, kam konsultuar bashkëpunëtorët e mi në LDK, dhe i kam shkruar zotëri Kurtit dhe i akm thënë që deri në fund të javës ta heq taskën 100 për qind. Deri më tani nuk kam amrrë përgjigje”, tha Mustafa.