Akciza e karburanteve, transportuesit paralajmërojnë protesta

Shpërndaje

Transportuesit nga e hëna në protestë kundër rritjes së akcizës së karburanteve për tre denarë. Për ta është e papranueshme marrja e një vendimi të tillë, i cili në kushte të pandemisë në vend të ndihmës nga shteti u sjell atyre kosto shtesë. Sipas Shoqatës së Transportuesve Makam-Trans, protesta do të jetë në përputhje me të gjitha detyrimet ligjore gjatë një gjendje të jashtëzakonshme.

Ne do të jemi të parët në botë që do të luftojmë këtë krizë pandemike dhe globale duke rritur shpenzimet, në vend që të mbështesim dhe ndihmojmë ekonominë. Fakti që akciza u rrit, do të thotë që në dy muajt e parë ngarkesa do të bjerë drejtpërdrejt mbi kompanitë e transportit sepse në këtë periudhë të lëvizjes së kufizuar të automjeteve të personave fizikë, konsumi i karburantit do të shndërrohet në konsum nga ana e trafikuesve të mallave.”-tha Biljana Muratovska nga Shoqata Makam-Trans.

Protesta është planifikuar të zhvillohet pa shkelur dekretet e shtetit për mbajtjen e distancës. Kjo do të thotë që shoferët do të protestojnë para Qeverisë dhe disa institucioneve të tjera, por duke qëndruar brenda kamionëve, autobusëve dhe furgonëve të tyre meqë tubimet publike të qytetarëve nuk lejohen.

Rritja e akcizës për tre denarë hasi në qëndrime të ndara publike. Qeveria e arsyeton këtë vendim si një rritje minimale duke marrë parasysh rënien drastike të karburantit në të gjithë botën. Vendimi për të rritur akcizën për karburantet, sipas qeverisë, është masë që do të ndihmojë në menaxhimin e krizës me virusin korona.