Akciza e naftës rritet për tre denarë

Shpërndaje

Për tre denarë rritet çmimi i akcizës për derivatet e naftës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Këtë rregullore në fuqi ligjore për zbatimin e ligjit të akcizave gjatë situatës së jashtëzakonshme sot e miratoi Qeveria si masë për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga koronavirusi Kovid-19.

Siç sqaroi sot në konferencë për media zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha, me këtë rregullore mes tjerash përcaktohet vlera e akcizës për benzinën, disel dhe karburantet për ngrohje.

“Rregullorja u miratua për të zbutur pasojat ekonomike të rritjes së shpenzimeve për ballafaqim me virusin korona dhe sigurimin e mjeteve për servisim të rregullt të nevojave buxhetore. Rritja e akcizës nuk do të shkaktojë implikime financiare shtesë për personat juridikë dhe popullsinë, duke pasur parasysh faktin se një ulja e konsiderueshme e çmimeve të naftës në bursat botërore po shkakton ulje të konsiderueshme të çmimeve të karburanteve me pakicë në vendin tonë”, tha Hoxha.

Mekanizmi i propozuar, shpjegoi ai, mundëson kthim gradual të vlerave të akcizave ekzistuese në kushte të normalizimit të çmimeve të tregut, i cili, siç tha ai, pritet kur të përfundojë situata e shkaktuar nga koronavirusi.