Arbërie Nagavci: Kjo është koha kur i përgjigjemi Hashim Thaçit për mandatarin, ai s’mund të bëjë presion mbi ne

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje, përmes deputetes Arbërie Nagavci, thotë se si parti fituese e zgjedhjeve emri i mandatarit për qeverinë e re do t’i dërgohet presidentit në momentin kur të krijohen rrethanat, që sipas saj, nënkupton përmirësimin e situatës me pandeminë e coronavirusit.

“Ne do t’i përgjigjemi letrës së presidentit sapo të krijohen kushtet për këtë dhe presidenti nuk ka asnjë të drejtë të bëjë presion mbi Lëvizjen Vetëvendosje sepse nuk i takon atij që t’i japë mandat tjetër dikujt, përveç fituesit të zgjedhjeve”, thotë Nagavci.

Duke iu referuar pretendimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë pa Vetëvendosjen, Nagavci thotë se Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e përcaktojnë që mandati për formimin e qeverisë i takon vetëm partisë fituese të zgjedhjeve, raporton Radio Evropa e Lirë.