Covid-19 dhe quo vadis shoqëria njerëzore!

Shpërndaje

Shkruan: Silvana BEGAJ

Covid-19 e futi shoqërinë njerëzore në rrjedhën e ligjeve të natyrës. Epidemia nuk bën dallime raciale, klasore, kombesh, rendesh; ajo vret këdo njeri të dobët që ‘takon’ dhe askush s’ka ç’i bën askujt.

Mos ka ardhur koha e përmirësimeve dhe riformatimeve në formacionet ekonomiko-shoqërore ekzistuese?

Mos ka ardhur koha që bota të korrektojë disa anë të sistemit, kryesisht ato që kanë të bëjnë me manaxhimin dhe rishpërndarjen e të ardhurave dhe rritja e shërbimit ndaj qytetarëve?

Fillimi i vitit 2020 e gjeti popullsinë e mbarë globit nën sulmin e të ashtuquajturit virus Covid-19. Brenda pak ditësh u përhap me shpejtësi në gjithë planetin duke marrë jetë njerëzish në masë. I gjithë opinioni botëror rend të pasqyrojë realitete të ndryshme sipas vendeve si “Masat e marra nga çdo vend për izolimin e virusit”, “Tentativa mjekimi”, “Ndihma nacionale e internacionale”, “Ndihmat ndaj qytetarëve dhe njësive ekonomike”, “Akuza të ndërsjellta ndërmjet shtetesh”, “Testim, testim, testim”, “Karantinë e ndalim veprimtarish” etj.

Ajo që bie në sy në këtë pandemi globale është se askush nuk i bëri me dije të sakta opinionit qytetar se cilat ishin burimet e këtij virusi?

Deri tani ka dy opinione:

Covid-19 erdhi si rezultat i infeksionit natyror nga kafshët tek njeriu;
Covid-19 u prodhua nga ndonjë laborator për qëllime të caktuara dhe u përhap aksidentalisht.

1- Supozojmë se Covid-19 erdhi si rezultat i infeksionit natyror nga kafshët tek njeriu.

Lind pyetja: Kush ka ndërhyrë në ekulibrin natyror, në biodiversitetin e saj, në ligjet universale të saj deri në atë masë sa natyra globale të sëmuret e të pësojë mutacione të tilla në planetin tokë? Natyra nëpërmjet lëvizjeve krijon zhvillimet dhe ekulibret dinamike të saj. Por zhvillimet kalojnë nëpërmjet ligjësive plotësisht të përcaktuara universale. Në ambientin natyror u zhvilluan flora e fauna me një diapazon nga njëqelizoret deri tek më të ndërlikuarat.

Natyra në abitatin e vet krijoi mundësi që një specie e saj, primati ‘Homo sapiens’ të zhvillohet më shumë dhe ky ishte ‘Njeriu’ i cili është një qënie që u zhvillua më shumë se të tjerat duke pasur materien e organizuar në shkallën më të lartë ‘trurin’. E thënë ndryshe njeriu ka aftësinë të vrojtojë, analizojë, të gjykojë dhe të krijojë.

Njerëzimi, për interesa ekonomike ka shfrytëzuar natyrën në mënyrë barbare duke marrë prej saj më shumë se sa i takon, madje në shumë raste duke shpërdoruar e degraduar resurset e saj.

Sa më i madh të jetë zhvillimi i shoqërive njerëzore pa kontroll, aq më shumë rritet pasiguria e jetës. Në përpjekje për të vendosur ekuilibrat, në një farë mënyre natyra hakmerret ndaj shkatërruesve të saj. Këtu përmendim shkatërrimi dhe zhdukja në masë i florës dhe faunës, ndotja e natyrës në tokë-ujë-ajër, mbipopullimi dhe pasojat: ngrohjen globale, pakësimin e ujrave, përmbytjet, rrëshqitjet masive, sëmundjet dhe epidemitë etj.

2- Covid-19 u prodhua në ndonjë laborator për qëllime të caktuara strategjike dhe është shpërndarë aksidentalisht.

Në se ka ndodhur se ky virus është prodhuar në kushte laboratorike dhe është përhapur aksidentalisht gjendja është tejet e rëndë e me pasoja për njerëzimin.

Këto janë opinione sporadike, ndoshta të pa baza, por njeriu ka të drejtën të dyshojë. Historia ka treguar se njerëzimi ka prodhuar dhe ka përdorur armë të shkatërrimit në masë. Mjafton të kujtojmë bombën atomike të hedhur në fund të Luftës së Dytë Botërore në Hiroshimë e Nagasaki. Mund të jetë dhe përhapje aksidentale, siç qe rasti i shpërthimit të Çernobilit.

3- Ka dhe një opinion i cili po qarkullon në media se në lindjen dhe përhapjen e Covid-19 ka influencuar dhe rrjeti 5G, për shkak të përdorimit të frekuencës së lartë të valës elektromanjetike.

Unë nuk jam fizikante dhe aq më tepër njohëse e saktë e fizikës bërthamore, por nga njohuritë e përgjithshme nuk e kam këtë mendim sepse aftësia e disa bërthamave atomike që zbërthehen vetevetiu duke emetuar ose çliruar grimca quhet radioaktivitet “Radhford”. Pra rrezatimi (vala radioaktive) çlirohet nga bërthama e atomit e cila përbëhet nga Protoni (+), Elektroni (-) dhe Neutroni (0). Gjatë radioaktivitit emetohen grimcat α; β; Υ; X dhe gjithë neutronet të cilat kur janë me doza rrezatimi mbi 20 mSv/vit dëmtojnë rëndë indet duke i kancerinizuar ato. Pra emetimi i grimcave që krijon rrezatimin radioaktiv s’ka të bëjë me frekuencën.

Së fundi kur ka hyrë në përdorim rrjeti 5G ka bërë një vlerësim të ndikimit në mjedis (VNM) dhe nëse paraqet rrezikshmëri nuk pajiset me leje shfrytëzimi. Ka organima nacionale e ndërkombëtare dhe rregulla të forta për këtë problem.

Nga sa më sipër edhe nëse burimi i lindjes dhe përhapjes së Covid-19 vjen si natyror, përgjegjës është njeriu me sjelljen e tij arrogante e të papërgjegjshme ndaj natyrës dhe qeveritë që drejtojnë.

Virusi nuk ka efekte vetëm në marrjen e jetëve njerëzore (kryesisht të moshave madhore), por ai paralizon bazën e ekzistencës së qenies njerëzore, pra atë ekonomike.

Covid-19 ka paralizuar ekonominë e globit në të gjitha burimet e saj dhe kjo ka pasoja për të ardhmen. Ai ka paralizuar gjithë veprimtarinë njerëzore në mbarë botën. Këtu jemi në një luftë të vërtetë globale e realizuar me një armë shumë të sofistikuar e të padukshme.

Por nga ana tjetër Covid-19 ka dhënë edhe disa mësime për mbarë globin.

Shfaqja e virusit i emërtuar Covid-19 i bëri njerëzit të kuptojnë se janë të barabartë, pra e futi njerëzimin në rrjedhen e ligjeve të natyrës. Askush s’ka ç’i bën askujt!

Pra veprimtaria njerëzore duhet të manaxhohet nga rregullatorë funksionalë siç janë formacionet ekonomiko-shoqërore të çdo shteti e kryesisht qeveritë, organizatat ndërkombëtare etj. Faktet tregojnë se deri tani nuk kanë qenë të afta ta realizojnë një detyrë të tillë me pasoja për njerëzimin

Asnjë shtet i botës nuk u gjend i përgatitur dhe i aftë të mbrojë qytetarët e vet nga epidemia e virusit Covid-19.

Faji i qeverive? Ndoshta! Por citojmë se në të njëjtën situatë u ndodhen të gjithë. Atëhere lind pyetja: Mos fajin e ka sistemi? Mos fajin e ka formacioni ekonomiko-shoqëror ekzistues?

Kjo do të thotë se qeveritë e të gjitha shteteve kanë bërë shumë pak për shëndetin e qytetarëve të vet edhe pse këta të fundit paguajnë taksa e sigurim shëndetësor.

Sistemi kapitalist është përcaktuar si më i miri, por jo pa difekte. Mos ka ardhur koha që bota të korrektojë disa anë të sistemit, kryesisht ato që kanë të bëjnë me manaxhimin dhe rishpërndarjen e të ardhurave dhe rritja e shërbimit ndaj qytetarëve?

Në sistemin ekzistues ka shpërdorim të pakontrolluar të fondeve (të cilat janë para të taksapaguesve të çdo vendi) dhe vihet re se pak interes tregohet për sektorët që kanë të bëjnë me shërbimin ndaj qytetarëve. Difektet janë evidente në shumë sektorë publikë si zgjidhja e kërkesë -ankesave të qytetarëve, shëbimi shëndetësor, ruajtja e ambientit e sigurisë në punë. Pra shërbimi është larguar jashtë limiteve nga qytetari i thjeshtë.

Kudo sot do të presësh radhë të bësh një vizitë mjekësore në spitalet publike përvec spitaleve private. Shumica e njerëzve nuk i mbulojnë dot shpezimet e larta të shërbimit mjekësor privat. Njerëzit paguajnë taksa për shëndetin e tyre dhe ata nuk dinë se ku shkojnë këto fonde?

Fondet publike harxhohen në funksion të interesave të politikës dhe jo nevojave të qytetarëve, mendimi qytetar pothuajse injorohet, pra qytetarët janë lënë disi pas dore.

Masat e marra për izolim të qytetarëve janë një zgjidhje e çastit, por me kosto të lartë si në ekonomi dhe në problemet sociale.

Ajo qe zgjidh problemin është korigjimi i difekteve ndaj shërbimit shëndetësor mbarëbotëror dhe gjetja e vaksinës përkatëse. Mos të harrojmë se sëmundje si SIDA dhe ato kanceroze kanë kohë të gjatë që marrin jetë njerëzish, por kurim shterues nuk kanë gjetur.

Si ka mundësi në një shoqëri njerëzore shumë të zhvilluar, problemet e shëndetit të jenë në këtë stad që lë për të dëshiruar?

Kujdes njerëz! Natyra është shfrytëzuar e gjymtuar në të gjithë biodiversitetin e saj, kryesisht nga veprimtaria njerëzore. Në funeralin që po i bëhet natyrës, ajo ka lënë një copë litari jashtë, sa mjafton që njerëzimi të mbysi dhe vetvehten.