DAP: Kriza goditi edhe arkën shtetërore, kompanitë lirohen nga tatimi i të ardhurave personale dhe tatimi i fitimit

Shpërndaje

Rënie e të ardhurave të buxhetit prej rreth 12%, rënia e TVSH-së për rreth 17% ndërsa tatimi në fitim ka pësuar rënie prej gati 11%. Ky është bilanci i arkës shtetërore për muajin mars të këtij viti në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Drejtoresha e DAP, Sanja Llukarevska, informoi se rënie e madhe është shënuar edhe në muajin prill.

“Kemi rënie të TVSH-së për 79%, me kthim të rritur prej 51,7%. Rënie të tatimit të të ardhurave personale prej 6% dhe rënie të fitimit prej 9,97% ose gjithsej krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 1 deri më 14 prill të vitit 2019, ka rënie të të ardhurave prej 38,15%”, tha Sanja Llukarevska, Drejtoreshë e DAP.

Llukarevska e prezantoi edhe masën e re për lirim të pagesës së akontacionit për tatim të të ardhurave personale dhe tatimit të fitimit për muajt mars, prill dhe maj. Ajo theksoi se masa vlen për kompanitë nga sektori hotelierik, turizmin dhe transportin, por edhe për kompanitë e tjera që janë dëmtuar. Që të shfrytëzohen këto lehtësime, drejtorja e DAP i ceku edhe kushtet.

“Të mos u paguhet dividentë pronarëve, shpërblim për sukses afarist ose ndonjë shpërblim tjetër vjetor i të punësuarve dhe organeve për udhëheqje dhe mbikëqyrje të taksapaguesit, nga dita e hyrjes në fuqi të dekretit me fuqi ligjore deri në ditën që vlen, përkatësisht 15 qershor 2020. Gjithashtu të mos ulet numri i të punësuarve nga 26 marsi deri në 3 muaj kur skadon vlefshmëria e masës”, tha Sanja Llukarevska, Drejtoreshë e DAP.

Kompanitë nga veprimtaritë tjera mund të shfrytëzojnë këtë lehtësim por nëse plotësojnë disa kushte tjera edhe atë të ardhurat e përgjithshme të jenë ulur për 40% në muajin aktual për dallim nga muaji shkurt ose të ketë ulje prej më shumë se 40% e të ardhurave të përgjithshme për këtë vit në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Më pas numri i të punësuarve që nuk punojnë për shkak të masës të jetë më pak se 25% ose kompania të ketë mbyllur më së paku gjysmën e vendeve të shitjes që i ka.