E vërteta e “ekspertëve” të propagandës, si ushqimi përtej xhamave për të uriturit

Shpërndaje

E VËRTETA E “EKSPERTËVE” TË PROPAGANDËS, SI USHQIMI PËRTEJ XHAMAVE PËR TË URITURIT

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Bota shqiptare është tepër e çuditshme, e tillë mbeti edhe gjatë pandemisë aktuale.

Në kohën kur e gjithë bota është trazuar nga pandemia e virusit Covid-19, sidomos kur njerëzit janë të ngujuar në shtëpi, sigurisht që kanë të drejtë të shqetësohen, të pyesin dhe presin përgjigje nga autoritetet e pushtetit dhe institucionet kompetente, për të gjitha fenomenet e dyshimta, paqartësitë dhe dyshimet për gjërat e panjohura.

Në botën e madhe të informacionit, sigurisht që ka edhe të vërteta edhe të pavërteta, lajme të rrejshme dhe propagandë, por të gjitha këto duhet t’i qartësojnë vetëm institucionet kompetente dhe autoritetet e besueshme, vendore dhe ndërkombëtare, jo “ekspertët” që janë mësuar t’i futin hundët në çdo çullë.

Është tepër e çuditshme dhe indikative, pse ndër shqiptarët të parët që paraqiten me komentet e tyre “profesionale” dhe “qetësuese” zakonisht janë individë të dëshmuar në lidhjet e tyre me pushtetin dhe qendrat e propagandës, para se këto njoftime dhe sqarime t’i japin organet dhe institucionet kompetente, duke harruar se ato informacione që këta “ekspertë” ua ofrojnë qytetarëve, secili që din shkrim e lexim mund t’i lexojë edhe në faqet e internetit, por edhe ta dallojnë të vërtetën nga propaganda.

Një porosi pak të pazakonshme për të gjithë këta “ekspertë”: përderisa as qentë nuk dalin në stan para se të del tufa e bagëtisë që duhet ta ruajnë ata, pse këta langoj të së keqes dhe propagandës duhet gjithmonë t’i futin hundët edhe aty ku kundërmojnë nevojtoret e propagandës dhe të agjenturave të huaja?!