Ecolog dhuron mijëra kompjutorë-tablet për fëmijët e familjeve në nevojë

Shpërndaje

Ecolog dhuron mijëra kompjutorë-tablet për fëmijët e familjeve në nevojë

Përpjekjet për t’i dalë në ndihmë popullatës sonë në këtë periudhë pandemie janë obligim i secilit që e ka këtë mundësi dhe ato po inkurajojnë gjithnjë e më shumë.

Ndihem mirë kur shikoj që biznese e kompani të shumta, shoqata e fondacione nga diaspora e nga vendet tona janë vënë në lëvizje e po tregojnë zemërgjerësi duke u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë e duke dhënë kontribut në sfera të ndryshme të jetës shoqërore.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve si dhe në përputhje me apelin tim, e çmoj dhe e falënderoj ekipin nga biznesi ynë familjar i cili pas një angazhimi prej dy javësh e finalizoi projektin për dhurimin e mijëra pajisjeve teknologjike për mësim online.

Sipas evidencës nga institucionet shtetërore, në mungesë të këtyre pajisjeve shumë nxënës nuk e kishin mundësinë ta ndjekin mësimin nga shtëpia.

Andaj, ky donacion u dedikohet nxënësve të cilët për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike mbetën jashtë procesit arsimor. Ndër gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë gjatë krizës që solli Covid-19 është që, e ardhmja e këtij vendi, fëmijët, të vazhdojnë me ndjekjen e procesit mësimor pa pengesa.

Ky donacion do t’i përfshijë fëmijët e familjeve me gjendje më të rënduar ekonomike si në Maqedoninë e Veriut ashtu dhe në Shqipëri, Kosovë e më gjerë në trojet tona.

Sipas projektit, sot filloi faza e parë e shpërndarjes duke nisur nga qyteti i Shkupit dhe komunat e tij për të vazhduar pastaj edhe më gjerë në qytetet tjera.