Fëmijët dhe nënat mbushin rrugët dhe parqet, i japin jetë qyteteve (Foto)

Shpërndaje

Pas vendimit të kryeminitrit Edi Rama për të lejuar nënat me fëmijët deri në 10 vjeç që të dalin për shëtitje, rrugët dhe bulevardet e Korçës kanë qenë të mbushura paraditen e kësaj të diele me zërat e gëzueshëm të fëmijëve të shoqëruar nga nënat e tyre.

Disa zgjodhën që këto orë liridalje t’i kalojnë duke shëtitur në parkun Rinia të qytetit. Ato e cilësuan të nevojshme këtë shëtitje, sidomos për fëmijët, pasi kishin kohë të mbyllur brenda. Ndërsa të tjera zonja folën për vështirësinë që kanë ndjerë gjatë këtyre javëve për t’i mbajtur brenda fëmijët, pasi shumë prej tyre nuk e kuptonin situatën, madje njëra prej nënave tha se kjo shëtitje ishte aq e gëzueshme për fëmijët sa atyre iu duket dita e sotme si festa e 1 qershorit.

E njëjta panorama është vënë re edhe në Berat. Rrugët dhe parqet e qytetit gumëzhuan sot nga zërat e fëmijëve. Të shkujdesur dhe të pashqetësuar nga askush, ata shijuan liridaljen.

Edhe pse temperaturat nuk kanë qënë favorizuese ditën e sotme, fëmijët kanë rendur të gëzuar në rrugët e qytetit. Bulevardi kryesor, pedonalja dhe parqet e lulishtet e qytetit janë tejmbushur me fëmijë. Nënat dhe vetë fëmijët shpehen se ndihen të gëzuar që më në fund, pas më shumë se katër javësh izolim dolën të shëtisnin në rrugët e qytetit. Ata u bëjnë apel të gjithëve të rrinë në shtëpi dhe të respektojnë rregullatat e vendosura,për tu mbrojtur nga virusi Covid-19.