Hapet pjesa e parë e spitalit pandemik në Turqi

Shpërndaje

Pjesa e parë e Spitalit të ri të qytetit në Başakşehir të Stambollit, i ndërtuar me urdhër të presidentit Recep Tayyip Erdoğan është hapur sot për të ndihmuar në luftën e Turqisë kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Spitalet e qytetit luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër koronavirusit në mbarë botën, me pajisjet e tyre të teknologjisë së lartë, infrastrukturën fizike dhe kapacitetin e tyre. Këto spitale gjithashtu ofrojnë trajtim gjithëpërfshirës për të gjitha sëmundjet.

Turqia, në një koordinim efektiv me Ministrinë e Shëndetësisë së vendit, planifikoi hapjen e shumë spitaleve në një periudhë të shkurtër kohore për shkak të krizës së COVID-19.

Spitali i ri i qytetit në Başakşehir të Stambollit u hap si pjesë e këtyre planeve.

Presidenti Erdoğan, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca dhe ministri i Teknologjisë dhe Industrisë, Mustafa Varank, morën pjesë në ceremoninë e hapjes që u mbajt me videokonferencë.

Është planifikuar që spitali të bëhet një nga më të rëndësishmit në Stamboll dhe Turqi.

Shtretërit mund të përdoren edhe si reparte të kujdesit intensiv

Spitali i ri i qytetit në Başakşehir të Stambollit është i vendosur në 789 mijë metra katror, me 1.021.000 metra katror hapësirë të brendshme.

Ka gjithsej 725 salla ekzaminimi, 2.682 shtretër në spital, si dhe një zonë parkimi me kapacitet për 8.134 autmjete.

Nëse është e nevojshme, të gjithë shtretërit mund të shndërrohen në reparte të kujdesit intensiv. Ekzistojnë gjithashtu 28 salla të lindjes, 90 salla të operacioneve, 16 reparte të djegieve dhe 456 reparte të kujdesit intensiv.

Spital që kursen energji dhe miqësor ndaj mjedisit

50 për qind e energjisë në spital plotësohet nga sistemet e trigjenerimit. Uji i shiut ruhet dhe përdoret për ujitjen e mjedisit përreth.

Me njësi mbushëse për automjetet hibride dhe korsi të biçikletave, spitali do të jetë një nga spitalet e teknologjisë më të lartë dhe më miqësor ndaj mjedisit në anën evropiane të Stambollit, qytet i cili është një nga metropolet më strategjike në botë dhe pikë e takimit midis Azisë dhe Evropës.

Kampusi i spitalit ka 3.466 kamera të sigurisë me sigurim 7/24.

Kompleksi përbëhet nga 8 spitale të degëve të ndryshme

Kompleksi i spitalit përfshin shërbime urgjente për fëmijë dhe të rritur, me një shërbim të urgjencës të ndërtuar në një zonë prej 30 mijë metrash katrorë.

Kompleksi përbëhet nga 8 spitale të degëve të ndryshme mjekësore, përfshirë operacionet e përgjithshme, pediatrinë, ortopedinë, neurologjinë, gjinekologjinë, repartin kardiovaskular, fizioterapinë dhe psikiatrinë.

Kur të fillojnë të gjitha degët të ofrojnë shërbime, ai do të bëhet spitali me kapacitetin më të madh të repartit të kujdesit intensiv në Evropë.

Operacionet do të mund të vazhdojnë edhe gjatë tërmeteve

Spitali ka 2.068 izolues sizmik, gjë që e bën atë “spitalin me numrin më të madh të izolatorëve sizmikë në botë”.

Këta izolues kufizojnë dëmet nga tërmeti, duke mbrojtur mekanizmat mbështetës të ndërtesave, të vendosura në një qytet që gjendet në një zonë tërmeti.

Falë kësaj teknologjie, të gjitha operacionet do të vazhdojnë në spital edhe në rast të tërmetit.

Spitali do të shërbejë si qendër pandemike gjatë luftës kundër COVID-19

Pas hapjes së të gjitha degëve në 20 maj, spitali do të ketë një rol të rëndësishëm në luftën kundër pandemisë.

Shërbimet e gjinekologjisë dhe pediatrisë, të hapura sot, do të përdoren si qendër pandemike gjatë luftës kundër COVID-19.

Nuk do të ketë pranim të drejtpërdrejtë të pacientëve pasi në të synohet të priten vetëm pacientët e pandemisë. Pacientët aktual do të transferohen nga ambulancat për t’u trajtuar aty.

Spital me 5 laboratorë

Në spital ka 5 laboratorë të vendosur në një kompleks prej 5.608 metrash katrorë.

Në ceremoninë e hapjes të mbajtur sot, një laborator urgjence filloi funksionimin e tij. Laboratori gjithashtu ka kapacitetin e duhur për të përgatitur plazma imune për trajtim, me gjithsej 127 karrige mjekësore për dhënien e gjakut.

Në spital janë përdorur teknologjitë lokale

Gjiganti turk i komunikimit Turkcell ka pajisur spitalin me teknologjitë më të reja të komunikimit. Sistemi i Informacionit në Spital, që përdoret nga spitalet e tjera kryesore të qytetit në të gjithë vendin, mundëson që të gjitha sistemet mjekësore të komunikojnë me njëri-tjetrin.

Mjekët dhe i gjithë personeli mjekësor mund të ketë qasje në testet, incizimet, raportet mjekësore dhe informatat në mënyrë elektronike përmes internetit.

Ky sistem përshpejton gjithashtu proceset e diagnostikimit dhe trajtimit. Pacientët mund të ndjekin kohën e tyre të vizitës përmes barkodit në celularët e tyre.

Spitali ofron zgjidhje efektive, zvogëlon kohën e pritjes për pacientët dhe zvogëlon ngarkesën e punës për personelin shëndetësor./aa