Haxhiu: Vetëvendosje nuk lejon realizimin e pazareve të rrezikshme për Kosovën

Shpërndaje

Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka deklaruar se gjatë kësaj jave ka pasur deklarata skandaloze dhe kriminale që tentojnë të përgatisin substratin e një marrëveshje të dëmshme me Serbinë, thelbi i së cilës, sipas saj, është ndarja e Kosovës.

Në një shkrim në Facebook, ajo ka përkujtuar se për pozicionin dhe mënyrën e negociimit tashmë është deklaruar nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, duke treguar që më shumë se mbrojtje e kanë ofertë për Serbinë çështjen e kufijve, ndërsa gazetari Baton Haxhiu ka folur edhe për ‘ridefinimin e veriut’.

Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të lejojë realizimin e pazareve dhe projekteve të rrezikshme për Kosovën.

Postimi i plotë:

Javën që shkoi patëm disa deklarata tejet skandaloze dhe kriminale që tentojnë të përgatisin substratin e një marrëveshje të dëmshme me Serbinë thelbi i së cilës është ndarja e Kosovës.

Për pozicionin dhe mënyrën e negociimit foli nënkryetari i LDK-së Haziri, duke treguar që më shumë se mbrojtje e kanë ofertë për Serbinë çështjen e kufijve, në anën tjetër kishim deklaratën e Baton Haxhiut, i cili përpos që para gjithë shqiptarëve na i shiti si të pavlera krimet e Serbisë në Kosovë foli edhe për ‘ridefinimin e veriut’.

Të dyja këto deklarata flasin qartë për PLAN-in që po i përgatisin Kosovës këta që aktualisht janë duke bërë përpjekje antikushtetuese për të formuar një qeveri jolegjitime. ”Gazetari” Haxhiu që për disa muaj na u zhdukë nga skena menjëherë na u paraqitë në media për të na treguar mbi ujditë e fundit me Serbinë. Pra, ky që së bashku me Presidentin para pak kohësh flisnin për ”një korrigjim të lehtë të kufijve” e ”dhuratën e Rankoviqit”, tash paska dalë me një emër të ri për idenë e vjetër të coptimit të Republikës së Kosovës nën titullin ”ridefinim i veriut”.

Këta siç duket ujdinë e gatshme duan ta sjellin në Kosovë, por kjo gjë ka përfunduar njëherë e mirë. Protesta e 29 shtatorit 2018 ”Një Popull s’i nënshtrohet një Njeriu” dhe zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar janë shprehje e qartë e vullnetit të qytetarëve të këtij vendi.

Ndërkaq deklarata e Baton Haxhiut se është e panevojshme të kërkohet dënimi i krimeve të luftës është krim për së dyti ndaj dëshmorëve të kombit, mbi 12 mijë të vrarëve, 1641 të pagjeturve, 20 mijë grave të dhunuara e familjarëve të tyre të cilët ende kërkojnë drejtësi.

Nuk do t’i lejojmë këta që tentojnë të shtyejnë përpara pazare e projekte të rrezikshme!