Kryeministri Kurti, edhe sot priti në takim përfaqësuesit e korit diplomatik në Republikën e Kosovës

Shpërndaje

Në vazhdën e takimeve me korin diplomatik në Republikën e Kosovës, sot gjatë ditës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, z. Besnik Bislimi, ka mbajtur një takim të përbashkët me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, znj. Chryssoula Alifer, të ngarkuarin me punë i ambasadës Japoneze në Kosovë, z. Mitsunori Ogasawara, shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, z. Daniel Onişor, shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, z. Rastislav Kostilník dhe ambasadoren e Suedisë në Kosovë, znj. Karin Hernmarck Ahliny.

Në këtë takim, Kryeministri në detyrë i njoftoi ata mbi situatën në vend pas përhapjes së virusit COVID-19, masat e ndërmarra deri më tani nga Qeveria. Theks i veçantë u vë mbi pakon fiskale emergjente të hartuar nga Qeveria në detyrë.

Ambasadorët dhanë vlerësimet e tyre pozitive për punën e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në ballafaqimin me pandeminë COVID- 19, dhe në të njëjtën kohë shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në çfarëdo forme.

Kryeministri në detyrë Kurti, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që komuniteti ndërkombëtar po i jep Kosovës për menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj sfide të përbashkët.

Lajmi: https://kryeministri-ks.net/kryeministri-ne-detyre-kurti-edhe-sot-priti-ne-takim-perfaqesuesit-e-korit-diplomatik-ne-republiken-e-kosoves/